Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se planet për bisedime me Iranin mbeten “fluide”, duke paralajmëruar se çdo spekulim nuk duhet të konsiderohet përfundimtar derisa të ketë njoftime zyrtare.
Të shtunën, Trump i kishte dhënë Iranit një afat 48-orësh për të hapur Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se në të kundërt SHBA do të “shkatërronte” infrastrukturën energjetike të vendit. Megjithatë, të hënën ai deklaroi se kishte vendosur të shtynte sulmet pas komunikimeve pozitive me Teheranin.
Edhe Shtëpia e Bardhë ka bërë thirrje për kujdes, duke theksuar se situata mbetet e paqëndrueshme dhe se nuk ka asnjë takim të konfirmuar mes përfaqësuesve të lartë të dy vendeve. Zëdhënësja për shtyp, Karoline Leavitt, u shpreh se këto janë diskutime diplomatike të ndjeshme dhe SHBA nuk negocion përmes mediave.
Ndërkohë, zhvillimet kanë ndikuar edhe në tregjet globale të energjisë. Çmimi i naftës Brent është rikthyer mbi 100 dollarë për fuçi, duke arritur në rreth 103.69 dollarë në tregjet aziatike, ndërsa nafta amerikane Nymex është rritur gjithashtu.
Rritja e çmimeve vjen pasi më herët ato pësuan rënie të fortë, pas vendimit të Trump për të shtyrë sulmet ndaj Iranit dhe sinjaleve për një marrëveshje të mundshme paqeje. Megjithatë, investitorët mbeten të pasigurt, duke marrë në konsideratë mohimet e Teheranit për zhvillimin e bisedimeve me SHBA-në.
Marrë nga CBS News