Një protestë e thirrur pasditen e kësaj të hëne përpara kryeministrisë për rritjen e çmimit të naftës ka dështuar në mënyrë të turpshme, teksa nuk ka marrë pjesë thuajse askush. Aq tragjikomike dukej situata saqë përpara zyrës së Edi Ramës kishte më shumë automjete të medias se sa protestues.
Në vendin ku dhe ishte njoftuar për tu mbajtur protesta, para ambienteve të Kryeministrisë, u panë vetëm disa qytetarë, kryesisht aktivistët e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, si dhe automjetet e transmetimit të mediave dhe efektivët e policisë, të cilë ishin në krye të detyrës për të ndjekur zhvillimet.
Shqipëria është një nga vendet me çmimim më të lartë të naftës në botë, por kjo me sa duket nuk i ka shqetësuar aq shumë qytetarët saqë të ngrenë zërin. Teksa qeveritë e vendeve të rajonit dhe ato të Bashkimit Europian kanë ulur në mënyrë agresive taksat për të lehtësuar qytetarët e tyre, qeveria e Shqipërisë lajmëroi një masë me gungë, sipas të cilës akciza ulet me 8 lekë, kur çmimi i naftës kapërcen kuotën 220 lekë për litër.
Reagimi inekzistent i qytetarëve më të varfër të Europës, të cilët paguajnë ndër çmimet më të larta të karburanteve në kontinent, i shkon për shtat qeverisë dhe politikës së saj për të rënduar edhe më shumë barrën e taksave mbi karburantet.
Shoqëria civile kishte bërë thirrje për protestë ditën e sotme përpara Kryeministrisë, në orën 17:00, përmes njoftimeve të shpërndara në rrjetet sociale.
Organizatorët u bënë apel qytetarëve që të merrnin pjesë masivisht, me qëllim kundërshtimin e çmimeve të larta dhe kërkesën për uljen e tyre.
Marrë nga Kapitali.al