Një ditë pas denoncimit të Syri Televizion, për skandalin e rëndë të vrasjes së qenëve endacak në zonën e Lanabregasit në Dajt, Policia e Tiranës ka nisur hetimet.
Indrit Osmani, që një ditë më parë denoncoi aktet e rënda të vrasjes së qenëve, ka bërë një denoncim edhe në polici. Këtë të enjte, efektivët e krimeve të Komisariatit Nr.4, kanë shkuar pranë qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë në zonën e Tufinës.
Fillimisht policët kanë shkuar për të kërkuar kamerat, por punonjësit u kanë thënë se ato nuk punojnë. Kjo ka bërë që policia të largohet, por banorët që u përballën me skandalin, kanë këmbëngulur që policia të thellojë hetimet.
Pas disa orësh, efektivët janë rikthyer pranë Qendrës së Kujdesit Veterinar, ku kanë shoqëruar disa punonjës të saj të cilët po merren në pyetje.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije, se brenda qendrës dyshohet se ka pasur edhe qenë të tjerë të vrarë, të cilët mbaheshin në qese plastike dhe frigorifer.
Në vijim pritet informacion zyrtar nga policia në lidhje me ngjarjen.
Marrë nga Syri TV