Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka rikujtuar autoritetet kontraktore për zbatimin strikt të rregullave mbi operatorët ekonomikë të përjashtuar nga procedurat e prokurimit publik. Në një rekomandim zyrtar, institucioni thekson se subjektet që janë në listën e përjashtimit nuk mund të marrin pjesë në gara dhe as të nënshkruajnë kontrata për sa kohë vendimi është në fuqi.
Sipas APP-së, verifikimi i statusit të operatorëve duhet të kryhet përpara çdo nënshkrimi kontrate, përfshirë edhe rastet e marrëveshjeve kuadër dhe kontratave që rrjedhin prej tyre. Institucioni nënvizon se çdo neglizhencë në këtë fazë mund të çojë në shkelje të ligjit dhe pavlefshmëri të kontratës.
Operatorët që janë përjashtuar për shkak të dorëzimit të të dhënave të rreme apo keqinformimit nuk mund të përfshihen në asnjë procedurë gjatë periudhës së ndalimit, e cila varion nga 3 muaj deri në 3 vite. APP thekson se ky kufizim ka efekt të drejtpërdrejtë në fazën finale të prokurimit, duke e bërë të pamundur lidhjen e kontratave me këto subjekte.
Në udhëzimin e saj, agjencia kërkon që institucionet të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme listën zyrtare të operatorëve të përjashtuar, e publikuar në faqen zyrtare dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike. Po ashtu, rekomandohet verifikimi i vendimeve përkatëse në seksionin e transparencës.
APP paralajmëron se moszbatimi i këtyre rregullave përbën shkelje të ligjit për prokurimin publik dhe mund të shoqërohet me masa administrative, përfshirë gjoba. Sipas institucionit, periudha nga shpallja e fituesit deri në nënshkrimin e kontratës mbetet një fazë kritike që kërkon kontrolle të shtuara.
Në përfundim, APP thekson se statusi ligjor i operatorit në momentin e nënshkrimit të kontratës është një kusht thelbësor për vlefshmërinë e saj, duke përjashtuar çdo mundësi që një subjekt i ndaluar të përfshihet në kontraktim, edhe nëse është shpallur fitues më herët.
Marrë nga Skyweb.al