Shqipëria është vendi i parë në botë që ka prezantuar një “ministër” të drejtuar nga Inteligjenca Artificiale. Por, përtej vëmendjes së madhe që mori ky lajm në vitin 2025, shifrat reale tregojnë një tjetër panoramë: vendi renditet në fund të listës europiane për numrin e qendrave të të dhënave.
Kjo tregon se, pavarësisht ambicieve për AI, Shqipëria ka ende një nivel të kufizuar të infrastrukturës digjitale që nevojitet për të mbështetur zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Shqipëria aktualisht ka një prani shumë të kufizuar në infrastrukturën e qendrave të të dhënave, me vetëm një data center të raportuar. Kjo e vendos vendin shumë prapa krahasuar me vendet e Europës Perëndimore si Gjermania apo Mbretëria e Bashkuar, të cilat kanë qindra të tilla dhe janë qendra kryesore të zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Qendrat e të dhënave janë shtylla kurrizore e inteligjencës artificial (IA) dhe mbështesin gjithçka, nga pyetjet në chatbot-et e IA-së, te videot e transmetuara dhe skedarët e ruajtur në cloud.
Ato janë objekte të mëdha që strehojnë serverë, sisteme ruajtjeje dhe pajisje rrjeti që përdoren për të ruajtur, përpunuar dhe shpërndarë të dhëna. Sa më shumë qendra të të dhënave, aq më shumë IA. Por ato konsumojnë sasi të mëdha energjie dhe kërkojnë shumë hapësirë toke.
Qendrat e të dhënave janë “aty ku ndodhet kapaciteti përllogaritës”, sipas raportit AI Index 2026, të publikuar nga Stanford Institute for Human-Centered Artificial Intelligence. Raporti thekson se “kapaciteti i tyre, shpërndarja gjeografike dhe zinxhirët përkatës të furnizimit përcaktojnë se çfarë sistemesh IA mund të ndërtohen dhe ku.”
SHBA-ja kryeson me diferencë të madhe
Pjesa më e madhe e infrastrukturës globale të qendrave të të dhënave është e përqendruar në një numër të vogël vendesh. Sipas Cloudscene, që përdoret edhe nga raporti, Shtetet e Bashkuara kryesojnë me një diferencë të madhe, me 5,427 qendra të të dhënave në vitin 2025. Kjo është më shumë se dhjetë herë numri i çdo vendi tjetër, duke treguar shkallën e lidershipit amerikan.
Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar përpara Kinës
Dy ekonomi të mëdha europiane, Gjermania (529) dhe Mbretëria e Bashkuar (523), vijnë pas SHBA-së. Është domethënëse që ato renditen përpara Kinës, e cila ka 449 qendra të të dhënave, pavarësisht forcës së saj si një fuqi teknologjike dhe inovative.
Kanadaja (337), Franca (322) dhe Australia (314) janë vende të tjera me mbi 300 qendra të të dhënave. Holanda është gjithashtu pranë këtij niveli me 298 qendra.
Shumica e vendeve të tjera kanë më pak se 300 objekte.
Rusia (251) dhe Japonia (222) plotësojnë dhjetëshen e parë për numrin e qendrave të të dhënave. Brazili dhe Meksika kanë gjithashtu midis 150 dhe 200 qendra.
Marrë nga Monitor