Ankesa është paraqitur nga një paditës anonim, i identifikuar si “John Doe”, në Gjykatën Supreme të Qarkut të Nju Jorkut.
Sipas dokumenteve ligjore, ngjarjet dyshohet se kanë nisur në pranverën e vitit 2024, menjëherë pasi të dy filluan të punonin së bashku.
Paditësi pretendon se Hajdini fillimisht bëri komente dhe prekje të papërshtatshme, të cilat më pas u përshkallëzuan në propozime të drejtpërdrejta seksuale dhe kërcënime për pasoja profesionale në rast refuzimi.
Padia përshkruan një seri incidentesh ku Hajdini dyshohet se i ka kërkuar favore seksuale në këmbim të avancimit në karrierë, si dhe përdorimin e gjuhës fyese dhe raciste. Sipas pretendimeve, ajo ka ushtruar presion të vazhdueshëm mbi punonjësin dhe në disa raste e ka detyruar të kryejë akte seksuale kundër vullnetit të tij.
Në dokumente thuhet gjithashtu se Hajdini dyshohet të ketë përdorur substanca për ta bërë paditësin të paaftë gjatë takimeve dhe të ketë pranuar këtë veprim. Paditësi pretendon gjithashtu se ajo ka përdorur pozitën e saj për të aksesuar në mënyrë të paautorizuar llogarinë e tij bankare.
Padia akuzon gjithashtu JP Morgan për neglizhencë dhe hakmarrje, duke pretenduar se kompania nuk mori masa ndaj sjelljes së supozuar dhe, përkundrazi, e vendosi punonjësin në pushim të pavullnetshëm e dëmtoi reputacionin e tij pasi ai raportoi incidentet.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i bankës ka deklaruar se një hetim i brendshëm nuk gjeti prova që mbështesin akuzat, duke shtuar se paditësi nuk bashkëpunoi me procesin dhe nuk ofroi fakte të mjaftueshme.
Rasti mbetet në shqyrtim, ndërsa as Hajdini dhe as përfaqësues të saj nuk kanë reaguar publikisht ndaj akuzave.