Njësia Rajonale Antiterrorizëm ka ndaluar në Rinas shtetasin turk, Ibrahim Karaoglu, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga vendi i tij, për tentativë për rrëzim të rendit kushtetues dhe pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste.
Shtetasi turk u ndalua gjatë tentativës për të hyrë në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.
“Si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Njësisë Rajonale Antiterrorizëm, Tiranë, në Sektorin e Hetimit në Drejtorinë e Antiterrorit, me partnerët turq, si dhe si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, me objektiv parandalimin e lëvizjes ilegale, të shtetasve në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë në shtetet ku kanë kryer vepra penale, u ndalua në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar: -I. K., 67 vjeç”, tha policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, në funksion të procedurës për ekstradimin e këtij shtetasi.
Marrë nga VoxNews.al