Grupi Parlamentar i PD kërkon thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm me pretendimin e zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Në një deklaratë të Grupit Parlamentar thuhet se po i jepet mbrojtje nga drejtësia një bashkëpunëtori të Edi Ramës. Kërkesa për mbledhjen e Kuvendit është firmosur nga 29 deputetë të PD-së.
“Deputetët e opozitës theksojnë se është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Ne dënojmë me forcë standartin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”. Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor.” – thuhet në letrën e deputetëve të opozitës drejtuar Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.