Mënyra se si u raportua aksidenti tragjik i së dielës në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur, ka nxitur reagime të forta nga institucionet dhe organizatat e medias. Publikimi i pamjeve të ndjeshme nga vendngjarja dhe detajeve identifikuese ka rikthyer debatin mbi kufijtë etikë të raportimit.
Ngjarja ndodhi më 3 maj, në zonën e ish-kënetës, ku një makinë mori përpara një grup fëmijësh që po luanin në trotuar. Drejtuesi i automjetit, i cili më vonë rezultoi të ishte i dehur, u largua duke përshkallëzuar indinjatën e dëshmitarëve.
Rasti mori përmasa të mëdha mediatike, me shpërndarje të gjerë të pamjeve dhe detajeve nga vendngjarja, duke ngritur shqetësime për cenim të dinjitetit të viktimave dhe familjarëve të tyre.
Organizatat e medias dhe institucionet reaguan të hënën duke kërkuar respektimin e standardeve profesionale dhe etike në raportim.
Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) theksoi sot se, ndonëse ngjarja përbën interes të lartë publik, kjo nuk justifikon publikimin e pamjeve të rënda.
“Në të gjitha kodet e etikës në botë, edhe në Kodin e Etikës së Gazetarit Shqiptar, një nga standardet e gjithëpranuara është se vdekja dhe makabriteti nuk duhen sensacionalizuar”, thuhet në reagimin e KSHM-së.
Sipas Këshillit, publikimi i pamjeve të tilla shkakton dëm emocional për familjet dhe krijon tronditje të panevojshme për publikun, veçanërisht kur viktimat janë fëmijë.
KMSH sugjeroi se raportimi i dinamikës së ngjarjes mund të realizohet përmes formave alternative, pa cenuar dinjitetin e viktimave.
“Me mjete të thjeshta, përfshirë ilustrime të krijuara me inteligjencë artificiale, mund të shpjegohet ngjarja pa shkelur mbi dhimbjen e familjarëve”, theksohet më tej.
KSHM ngriti gjithashtu shqetësim për publikimin e elementeve që mund të çojnë në identifikimin e fëmijëve.
“Sipas kodeve të etikës, media nuk duhet të publikojë identitetin e fëmijëve apo detaje që mund t’i identifikojnë ata. Argumenti se ‘dikush tjetër e publikoi më parë’ nuk është justifikim”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), duke kërkuar ndalimin e publikimit të pamjeve nga aksidenti.
“Publikimi i këtyre materialeve nuk i shërben informimit publik dhe cenon dinjitetin e viktimave, duke rënduar më tej dhimbjen e familjeve”, deklaroi AGSH.
Edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) u bëri thirrje mediave të shmangin sensacionalizmin dhe garën për klikime.
“Të ‘vrasësh’ dhe rivrasësh përmes imazheve, duke ekspozuar dhimbjen njerëzore, është shkelje e rëndë e etikës dhe standardeve profesionale”, u shpreh kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Reagimet e institucioneve nxjerrin në pah një problem të përsëritur në raportimin e ngjarjeve të rënda në Shqipëri: balancën mes të drejtës për informim dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.
Rasti i Durrësit rikthen nevojën për vetërregullim më të fortë dhe përgjegjësi editoriale, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë dhe përmbajtje me ndjeshmëri të lartë.
Marrë nga Citizens.al