Agjencia e Inteligjencës Financiare ka evidentuar në raportin e vitit 2025 një tjetër skemë të dyshuar që lidhet me përdorimin e shoqërive të lidhura për qarkullimin e fondeve ndërkombëtare në sektorin e marketingut online, ku 11 kompani të regjistruara në Shqipëri rezultojnë të kenë përfituar transferta me vlerë totale 3,740,000 euro nga vende të ndryshme të Europës dhe Azisë.
Sipas raportit, analiza e aktivitetit të këtyre kompanive evidentoi lidhje të forta mes tyre, jo vetëm për faktin se ushtronin aktivitet në të njëjtën fushë, konkretisht në ofrimin e shërbimeve të marketingut online, por edhe sepse të njëjtët individë rezultonin të përfshirë në role të ndryshme si administratorë, ortakë apo persona me të drejtë përfaqësimi.
Një tjetër element që ngriti dyshime për Agjencinë e Inteligjencës Financiare lidhet me kohëzgjatjen e aktivitetit të këtyre subjekteve. Sipas raportit, kompanitë ishin regjistruar gjatë vitit 2024 dhe brenda një periudhe 6-mujore ose përgjatë të njëjtit vit rezultonin të çregjistruara.
Për shkak të këtyre elementeve, AIF bashkëpunoi me organet tatimore për verifikimin e aktivitetit të kompanive. Nga informacioni i marrë rezultoi se disa prej këtyre shoqërive ishin referuar pranë organeve ligjzbatuese për veprat penale të fshehjes së të ardhurave dhe mospagimit të taksave e tatimeve.
Raporti thekson se nga analiza e aktivitetit bankar të 11 kompanive janë identifikuar vendet nga ku kishin ardhur transfertat me volumin më të lartë të fondeve. Në vijim, AIF komunikoi me njësitë homologe të inteligjencës financiare në 7 shtete të ndryshme.
Sipas informacionit të siguruar nga autoritetet partnere, janë konstatuar disa anomali lidhur me kompanitë dërguese të fondeve. Ndër gjetjet kryesore përfshihen qarkullimi i fondeve shumë herë më i lartë sesa deklarimet zyrtare të kompanive, përdorimi i llogarive bankare për qëllime tranzitore ku fondet transferoheshin menjëherë drejt vendeve të tjera pas kreditimit, si edhe kryerja e transfertave jashtë profilit të aktivitetit të deklaruar dhe pa dokumentacion justifikues.
Po ashtu, raporti evidenton se kompanitë e huaja kishin zhvilluar aktivitet gjatë të njëjtës periudhë me subjektet e regjistruara në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e tyre rezultonin të çregjistruara.
Duke marrë në konsideratë këto elemente, Agjencia e Inteligjencës Financiare thekson se janë ngritur dyshime mbi natyrën reale të aktivitetit dhe qëllimin e qarkullimit të fondeve përmes këtyre kompanive.
Për këtë arsye, edhe ky rast është referuar për hetime të mëtejshme pranë organeve të zbatimit të ligjit.
Marrë nga Ekofin.al