Mbrojtja ka rezultuar të jetë një biznes fitimprurës – këtë e kanë kuptuar edhe shumë kompani portugeze që po hyjnë në treg me oferta gjithnjë e më të forta dhe më konkurruese. Sipas të dhënave nga José Neves nga shoqata e interesit AED Cluster Portugal, sektori i industrisë së mbrojtjes arriti një qarkullim prej rreth 2.1 miliardë eurosh vitin e kaluar. “Trendi është në rritje”, thekson Neves.
Në të njëjtën kohë, Portugalia po blen intensivisht pajisje ushtarake jashtë vendit në mënyrë që të përmbushë qëllimin e rënë dakord të NATO-s për t’i kushtuar pesë përqind të produktit të brendshëm bruto mbrojtjes. Lisbona po blen fregata në Itali, tanke në Gjermani, ndërsa planifikon të blejë edhe avionë të rinj. Ende nuk është vendosur nëse ato do të vijnë – nga SHBA-ja apo nga Evropa.
Ministri i Mbrojtjes, Nuno Melo, në vitin 2025, vuri në pikëpyetje marrëveshjen pothuajse të përfunduar për të blerë avionë luftarakë amerikanë F-35 nga Lockheed Martin. Ai shprehu dyshime për besueshmërinë e SHBA-së si aleat nën Presidentin Donald Trump dhe theksoi se duhen marrë në konsideratë edhe opsionet evropiane. Më i vjetri nga 28 avionët luftarakë portugezë F‑16 janë mbi 30 vjeç dhe një vendim duhet të merret së shpejti.
Këtu hyn në lojë kompania suedeze e mbrojtjes Saab, duke i ofruar Portugalisë avionët e saj luftarakë Gripen E. “Gripen E do të ishte një zgjidhje vërtet evropiane”, tha Daniel Boestad, nënkryetar i Saab përgjegjës për avionët, për DW. “Gripen E do të forconte aftësitë strategjike mbrojtëse portugeze dhe evropiane përmes partneriteteve industriale afatgjata dhe sovranitetit teknologjik”.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Ndryshe nga qasja amerikane, Saab është gati të përfshijë industrinë ushtarake portugeze në projektin Gripen. Kompania e aviacionit OGMA mund të prodhojë pjesë avionësh – gjë që tashmë e bën, ndër të tjera, për prodhuesin brazilian Embraer.
Portugalia nga ana tjetër blen avionë transporti ushtarak nga Embraer. “Përveç kësaj, ne po shqyrtojmë potencialin për bashkëpunim shtesë në fushat e prodhimit dhe MRO-së”, thotë Boestad.
Në Portugali, suedezët mbështeten gjithashtu te kompania e softuerëve Critical Software, e cila po zhvillon një simulator fluturimi për Gripen E. “Ne po bashkëpunojmë me Saab sepse është një sfidë interesante dhe një projekt me të cilin mund të identifikohemi”, thotë CEO João Carreira. Kompania, e themeluar në vitin 1998 si një zyrë me tre punonjës, sot punëson rreth 5,000 njerëz në të gjithë botën.
Në fillim, ajo zhvilloi softuer për fregata të Marinës Portugeze, dhe sot Critical Software merr pjesë në sipërmarrje të përbashkëta, ndër të tjera me BMW, dhe bashkëpunon me koncerne gjermane të mbrojtjes si Diehl dhe Rheinmetall.
“Ne zhvillojmë softuer për satelitë ushtarakë, mjete ajrore pa pilot dhe sisteme raketash. Ne bashkëpunojmë me Airbus – si në segmentin ushtarak ashtu edhe në atë civil”, shpjegon Carreira.
Grupi i mbrojtjes në rritje të vazhdueshme
Kompani të tjera portugeze prodhojnë gjithashtu dronë ose komponentë për koncerne të mëdha ndërkombëtare. Industria portugeze e mbrojtjes ka arsye të jetë e lumtur sot, sipas José Neves nga AED Cluster Portugal. “Në pesë vitet e fundit, është bërë një hap i madh përpara. Ne jemi bërë një lojtar serioz me rreth 20,000 vende pune.”
Kompani të tilla si prodhuesi i dronëve Tekevera, i cili furnizon tregjet në të gjithë botën, ose Critical Software, kanë kontribuar në forcimin e besimit të partnerëve ndërkombëtarë në industrinë ushtarake portugeze.
Sot Portugalia merr pjesë në pothuajse të gjitha segmentet e tregut evropian të mbrojtjes – si furnizues dhe gjithnjë e më shumë si prodhues i sistemeve të gatshme. “Dronët dhe sistemet e komunikimit portugez përdoren gjithashtu në Ukrainë”, thekson Neves. Mesazhi është i qartë: Mund të mbështeteni te Portugalia.
Kjo konfirmohet edhe nga Saab. Simulatori i fluturimit i zhvilluar nga Critical Software është vetëm fillimi. “Qëllimi ynë është të zhvillojmë një bashkëpilot UI për Gripen E”, thotë Carreira. “Ai do të ndihmonte pilotin dhe do ta përmirësonte më tej avionin.”
Por a do të jetë e mjaftueshme për Forcën Ajrore Portugeze, e cila – të paktën duket – preferon F‑35 amerikan më të përparuar teknologjikisht, por edhe dukshëm më të shtrenjtë?
“Saab është gati të ndihmojë Portugalinë të zëvendësojë flotën e saj të vjetër të avionëve luftarakë”, thekson Boestad. “Ne mezi presim të vazhdojmë dialogun dhe të ndihmojmë Portugalinë të zgjedhë një sistem të ri armësh për Forcën e saj Ajrore”.
Blerje e detyruar?
Megjithatë, Bruno Oliveira Martins nga Instituti i Kërkimeve për Paqen PRIO në Oslo vë në dyshim nëse Portugalia mund të vendosë vërtet lirisht për këtë blerje.
“Qëndrimi jokritik i Portugalisë ndaj përdorimit të bazës ushtarake amerikane në Azore gjatë luftës së SHBA-së kundër Iranit sugjeron që qeveria portugeze ka autonomi dhe vendosmëri shumë të kufizuar për t’iu kundërvënë SHBA-së në çështjet ushtarake”, beson Martins.
Me fjalë të tjera, Portugalia e vogël vështirë se mund të përballojë të zemërojë një aleat të madh (SHBA-në) duke blerë avionë luftarakë jo-amerikanë. Në të njëjtën kohë, shton Martins, krijimi i një industrie mbrojtëse evropiane të qëndrueshme afatgjatë nënkupton blerjen e pajisjeve që mund të mos jenë në kulmin teknologjik, por janë ende mjaft të mira për shumicën e detyrave të mbrojtjes. Për shumë misione nuk është e nevojshme të kesh teknologjinë më të fundit dhe më të përparuar.
Për Ministrin Portugez të Mbrojtjes, vendimi nëse do të drejtohet vërtet te avionët luftarakë evropianë sigurisht që nuk do të jetë i lehtë.
Marrë nga Deutsche Welle