UEFA po përgatit një revolucion të madh në futbollin europian, duke ndryshuar tërësisht formatin e kualifikueseve për Europianin, Botërorin dhe Ligën e Kombeve.
Sipas planit të ri të prezantuar federatave, sistemi do të ngjajë shumë me formulën aktuale të Champions League.
Ndryshimi më i madh lidhet me mënyrën e zhvillimit të ndeshjeve.
Në vend të përballjeve vajtje-ardhje në grupe të vogla, skuadrat do të luajnë vetëm një ndeshje kundër secilit rival, qoftë në shtëpi ose në transfertë.
Grupet do të jenë më të mëdha dhe modeli do të jetë i ngjashëm me “ligën unike” të Champions League.
Edhe Liga e Kombeve do të transformohet plotësisht. Nga katër ligat aktuale, kompeticioni do të ndahet në tre liga me nga 18 skuadra secila.
Çdo ligë do të ketë tre grupe me nga gjashtë ekipe, ku çdo kombëtare do të zhvillojë gjashtë ndeshje ndaj kundërshtarëve të ndryshëm.
Do të mbeten çerekfinalet, “Final Four” dhe play-off-et për ngjitje apo rënie nga një ligë në tjetrën.
Ndryshime të rëndësishme priten edhe në eliminatoret e Botërorit.
Formati i ri parashikon dy divizione kryesore: Liga 1 me 36 skuadra nga Ligat A dhe B të Nations League dhe Liga 2 me ekipet e mbetura.
Ekipet do të ndahen në grupe të mëdha dhe secila kombëtare do të luajë gjashtë ndeshje ndaj rivalëve të ndryshëm, sipas modelit të kompeticioneve europiane për klube.
Skuadrat e renditura të parat do të sigurojnë automatikisht kualifikimin, ndërsa pjesa tjetër e vendeve do të vendoset përmes play-off-eve, duke mbajtur gjallë shpresat edhe për ekipet më të vogla.
Sipas raportimeve, ky format i ri pritet të hyjë në fuqi nga cikli 2028-2029, menjëherë pas përfundimit të Euro 2028, duke sjellë një epokë të re për futbollin europian.
Marrë nga ESPN.com