Rusia ka lëshuar qindra raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev. Në mesin e caqeve të goditura është edhe rezidenca e ambasadorit shqiptar në Ukrainë, bëri të ditur Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Si pasojë e sulmit në Kiev, që është një ndër më të mëdhenjtë të kryer, janë vrarë të paktën katër persona.
“U godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme!”, thuhet në deklaratën për media të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Ernal Filo është përfaqësuesi i Shqipërisë në Kiev. Shqipëria hapi për herë të parë Ambasadën e saj në Kiev në tetor të vitit 2024. Filo ka shërbyer më herët si ambasador në Mal te Zi.
Shqipëria i dorëzon ambasadorit rus notë verbale
Pas ngjarjes, ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri, Alexey Zaitsev, u thirr në bisedë nga Ministria e Jashtme, të cilit iu përcoll reagimi i ashpër nga Tirana. Gjatë takimit u tha se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë.
“Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë në çdo rrethanë të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar”, tha ministria.
Ambasadorit rus iu dorëzua notë verbale dhe iu kërkua që të përcjellë thirrjen e palës shqiptare për të respektuar normat ndërkombëtare pranë autoriteteve të vendit të tij.
Sipas Shqipërisë, shënjestrimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë.
Shqipëria përsërit thirrjen ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t’i japë fund luftës kundër Ukrainës, që ka nisur në shkurt të vitit 2022, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata.
Sulmi rus në Kiev me dronë dhe raketa është një prej më të mëdhenjve në kryqytetijn ukrainas. Si pasojë e breshërive të sulmeve, të paktën dy persona raportohet se janë vrarë, teksa numri i viktimave pritet të rritet.
Ushtria ukrainase tha se të paktën 700 dornë dhe raketa u përdorën gjatë sulmit rus. Kryetari i Kievit, Vitali Klitshcko, tha se më shumë se 77 persona janë plagosur.
Raportime të pakonfirmuara thonë se Rusia mund të ketë përdorur raketën e re hipersonike, e aftë të bratë koka bërthamore, të quajtur Oreshnik. Nëse konfirmohen këto raportime, atëherë do të ishte hera e tretë që një raketë e tillë përdoret ndaj Ukrainës, dhe hera e parë që përdoret ndaj Kievit.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë