Huadhënësit (BE, FMN dhe BQE) kishin bërë gati dy dokumente të detajuara për nxjerrjen e Greqisë nga Eurozona në vitin 2015 që në atë kohë u njoh si “Grexit”.
Njëri nga planet ishte një draft me emrin e koduar “Anëtarësimi i Kroacisë në BE” dhe i dyti ishte “plani B” me emrin e koduar “Shqipëria”. Prapaskenat u zbuluan në episodin e katërt të serie dokumentarësh për krizën e madhe të Greqisë së asaj kohe që po publikohen nga televizioni grek “SKAI”.
Ish-Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker ka rrëfyer bisedimet e vështira që kishte bërë atëherë me qeverinë e Alexis Tsipras në qershor 2015 me qëllim mbylljen e hendekut të financimit prej 380 milionë eurosh.
Ai zbuloi se Tsipras i propozoi një taksë mbi pronarët e anijeve, në vend të shkurtimeve të pensioneve, por ai refuzoi: “Unë jam i qendrës së djathtë, ju jeni i krahut të majtë. Në rregull…”.
Drejtori i atëhershëm i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn pranoi dy gabime kryesore në programin e parë të shpëtimit të ekonomisë greke. Sipas tij efektet e masave shtrënguese u nënvlerësuan.
Projekti “Shqipëria”
Episodi i katërt i serialit zbuloi edhe një plan sekret të hartuar në Bruksel për mundësinë e daljes së Greqisë nga Euro të cilit në mënyrë të habitshme e kishin quajtur “Shqipëria”.
Fillimisht, diskutimet në Bruksel, për hartimin e një plani në lidhje me një Grexit të mundshëm, ishin tepër sekrete dhe jashtëzakonisht të detajuara – aq sa ata kishin vendosur edhe se kush do të dërgonte avionë ushtarakë për të marrë turistët e huaj.
Zyrtarët përkatës u takuan dhe shkëmbyen shënime nën pretekstin e diskutimit të pranimit të Kroacisë në BE! Rezultati i këtyre konsultimeve sekrete dhe prapa skenave ishte përgatitja e “planit B”, i cili titullohej “Kodi i Shqipërisë”.
Plani numëronte afërsisht 139 faqe dhe përfshinte skenarë të detajuar për pezullimin e pagesave, menaxhimin e daljes nga euro, kontrollet e kapitalit dhe futjen e një monedhe të re.
Dëshmitarët përshkruajnë se diskutimet dhe shkëmbimi i dokumenteve u zhvilluan ekskluzivisht personalisht, pa email-e ose komunikim elektronik. “Shkëmbimi i email-eve për këto çështje ishte i ndaluar”, – treguan dëshmitarët.
Ish-nënkomisioneri i KE, Margaritis Schinas pranoi se ishte në dijeni të ekzistencës së planit, duke vënë në dukje se edhe përgatitja e tij krijoi një presion të madh.
Martin Verwey, kreu i “Planit B”, tha se Komisioni Europian priste se ditën e parë pasi Greqia të dilte nga euro, monedha kombëtare do të humbiste 60 deri në 80% të vlerës së saj.
“Ne po flasim në thelb për një rënie të vlerës së monedhës brenda natës”, – vuri në dukje ai. Ai paralajmëroi se në një skenar të tillë, borxhi grek mund të rritej deri në 500%-600% të PBB-së, duke e bërë atë plotësisht të paqëndrueshëm.
Sipas vlerësimeve të ekipit që punonte për “Planin B”, shtypja e një sasie të mjaftueshme parash të reja do të zgjaste rreth 8 deri në 9 muaj. “Pyetja thelbësore ishte se çfarë do të ndodhte ndërkohë”, – theksuan dëshmitarët.
Mes skenarëve të shqyrtuar ishte edhe përdorimi i përkohshëm i kartëmonedhave ekzistuese euro, qoftë me një pullë të veçantë apo edhe me perforim, në mënyrë që ato të mund të konvertoheshin përkohësisht në një monedhë të re kombëtare.
Lidhur me mundësinë e daljes së Greqisë nga Eurozona, guvernatori i Bankës së Greqisë Yannis Stournaras ishte i qartë se kjo do të ishte një katastrofë për vendin.
“Do të ishte një katastrofë. Nuk do të kishim as naftë për të blerë për anijet luftarake në Egje. Do të kishte uri. Në një proces të rinegocimit të miliona kontratave të kompanive private, kush do të importonte produkte, nga cili furnizues? Cili grek do të shkonte jashtë vendit dhe do t’i pranoheshin kartat?” – tha ai.
Marrë nga Lapsi.al