Pesë persona janë arrestuar, mes tyre tre shqiptarë, pasi jahti me të cilin po transportoheshin shtatë emigrantë drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme u ndalua në brigjet jugore të Anglisë.
Sipas mediave, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Krimit, oficerët e Forcës Kufitare ndaluan jahtin teksa ai mbërriti në Chichester Marina, në Ëest Sussex, mbrëmjen e së hënës, më 25 maj.
Në pranga ranë dy anëtarë të ekuipazhit, një shtetas britanik 42 vjeç dhe një shtetas shqiptar 25 vjeç. Oficerët identifikuan gjithashtu tre persona të tjerë, një britanik 38 vjeç dhe dy shqiptarë 24 dhe 32 vjeç, të dyshuar si pjesë e një “grupi në tokë”, që priste mbërritjen e anijes.
Edhe këta persona u arrestuan nën dyshimin për përfshirje në kontrabandë njerëzish. Të pestë u morën në pyetje nga hetuesit e Agjencisë Kombëtare të Krimit pas arrestimit. Tre prej tyre u liruan më pas me kusht, në pritje të hetimeve të mëtejshme, ndërsa dy shtetasit shqiptarë, 25 dhe 32 vjeç, mbeten në paraburgim për vepra që lidhen me emigracionin.
Shtatë personat e gjetur në bord, të gjithë shtetas shqiptarë, do të trajtohen nga autoritetet britanike të emigracionit.
Marrë nga NCA.gov.uk