Një megaoperacion policor është zhvilluar në zonën Mas del Plata, në Cabra del Camp të provincës së Tarragonës, në Spanjë ku rreth 300 efektivë të policisë spanjolle kontrolluan 15 banesa për të goditur një rrjet kriminal të dyshuar për kultivim dhe trafikim të marijuanës.
Operacioni u drejtua nga Divizioni i Hetimit Kriminal në Tarragona dhe hetues të Policisë Kombëtare, me synim çmontimin e një organizate të strukturuar që, sipas të dhënave, drejtohej nga një klan i zonës në bashkëpunim me një grup shqiptarësh, të cilët dyshohet se siguronin fuqinë punëtore për kultivimin e drogës.
Në aksion morën pjesë njësitë speciale të policisë katalanase, përfshirë Grupin Special të Ndërhyrjes (GEI), si dhe efektivë të Njësisë së Ndërhyrjes Policore (UIP) të Policisë Kombëtare. Autoritetet kishin dyshime se në banesat e kontrolluara mund të kishte armë, ndaj u angazhuan forcat speciale.
Gjatë kontrolleve u arrestuan 14 persona dhe u zbuluan 11 plantacione marijuanë me mbi 5 mijë bimë. Policia sekuestroi gjithashtu armë zjarri, armë të ftohta, para në dorë, pajisje për bllokimin e sinjalit dhe peshore që shërbenin për përpunimin e drogës.
Hetimet kanë treguar se plantacionet nuk funksiononin veçmas, por ishin pjesë e një organizate të vetme kriminale me strukturë të mirëorganizuar. Procesi hetimor vijon dhe mbetet nën sekret, ndërsa autoritetet spanjolle po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Marrë nga Newsbomb.al