Pas liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian prej 1 janarit 2024 remitancat kanë shënuar rritje të ngadalësuar.
Kjo bëhet e ditur në raportin për vlerësimin tre mujor të ekonomisë të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
“Vlera e remitancave të pranuara në tre mujorin e parë 2024 ka arritur në 281 milionë euro, duke shënuar rritje prej 3.6 për qind krahasuar me tre mujorin e parë 2023. Rritja e ngadalësuar e remitancave në tre mujorin e parë pas liberalizimit të vizave më vendet e BE-së, mund të jetë ndikuar nga rritja e vizitave të kosovarëve në diasporë, të cilët ofrojnë mbështetje financiare për familjaret e tyre për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit”, thuhet mes tjerash në raportin e BQK-së.
Sipas këtij raporti, remitancat vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, që përbejnë rreth 55.5% e të gjitha remitancave.
Remitancat përmes kanaleve formale (bankat dhe institucione tjerat) kanë shënuar rritje vjetore prej 3 për qind në TM1 2024, ndërsa është shënuar rritje prej 5.8 për qind e dërgesave përmes kanaleve te tjera, potencialisht ndikuar nga rritja e vizitave të kosovarëve në diasporë.
Sipas të dhënave preliminare nga regjistrimi i sivjetmë i popullsisë në Kosovë, rreth 600 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë jashtë vendit. Numri i saktë pritet të bëhet publik nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në fund të këtij viti.
Diaspora e Kosovës luan rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit përmes remitancave, investimeve në patundshmëri dhe shpenzimeve që bën gjatë pushimeve në Kosovë.
Në katër muajt e parë të këtij viti, numri më i madh i investimeve të huaja direkte në Kosovë është bërë në patundshmëri. Investuesit më të mëdhenj në këtë sektor janë qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
Vlera e investimeve të huaja në Kosovë, që përfshin edhe investimet e diasporës, në periudhën janar-maj të këtij viti ishin afro 350 milionë euro, derisa vitin e kaluar kjo shifër ishte rreth 850 milionë euro.
Pjesa më e madhe e investimeve janë nga Gjermania, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Investimet direkte në Kosovë deri në fund të majit 2024 ishin 341.22 milionë euro, që paraqesin një rritje prej 10.00% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 84.14 milionë euro”.