Krimineli Radovan Karaxhiq, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, ka paditur Qeverinë britanike për trajtim çnjerëzor pasi nuk i lejohet laptopi në qelinë e burgut.
79-vjeçari po vuan dënimin në burgun Albany, në ishullin Wight. Ai kërkon 50 mijë paunde për shkelje të të drejtave të njeriut, ndërsa pretendon se i është ndaluar të komunikojë në gjuhën serbe.
Me anë të një video online, ai ka paditur javën e kaluar në gjykatë, sekretaren e Shtetit për Drejtësinë, Shabana Mahmood
Këto pretendime kanë nisur që në vitin 2021, atëherë kur ishte vajza e tij Sonja Karaxhiç-Joviçeviç, e cila akuzoi se, ai ishte duke u mbajtur në burg në kushte të papërshtatshme pasi u transferua në ishullin Wight. “Veç të tjerave, ai është duke u mbajtur në një ndërtesë plot me asbest kancerogjen, që është ndaluar në të gjithë botën. Kjo tregon qartë se si ai po trajtohet. Zhvendosja e tij në jug të Anglisë u bë me qëllim, për të mbajtur larg familjes, por kjo është në shkelje të rezolutës së Kombeve të Bashkuara”, shprehej vajza e tij për agjencinë boshnjake të lajmeve SRNA, duke shtuar se atij i kanë hequr librat dhe kompjuterin, si edhe nuk është lejuar të fliste në serbisht.
Radovan Karaxhiç u shpall fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rrethimin 44-mujor serb të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë dhe për mbikëqyrjen e një fushate të spastrimit etnik që dëboi kroatët dhe myslimanët nga zonat e pretenduara nga serbët e Bosnjës.
Duke u fshehur për më shumë se një dekadë pas luftës, ai u arrestua dhe iu dorëzua Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në korrik të 2008-ës. Në vitin 2016, Karaxhiq u shpall fajtor për gjenocid për masakrën e Srebrenicës nga gjykatësit e Tribunalit për Krimet e Luftës në Hagë.
Ish-psikiatri, fillimisht u burgos për 40 vjet për urdhërimin e vrasjeve në 1995, mizoria më e keqe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjykatësit e apelit në Hagë më parë lanë në fuqi dënimet për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe e rritën dënimin e tij nga 40 vjet në burgim të përjetshëm.
Ish-udhëheqësi është një nga figurat më të larta të gjykuara nga gjykata e Hagës për krime lufte.
Çështja e tij konsiderohet si kryesore në dhënien e drejtësisë për viktimat e konfliktit, i cili la më shumë se 100,000 njerëz të vdekur dhe miliona të pastrehë.