Policia spanjolle ka goditur një rrjet të trafikut ndërkombëtar të kokainës, duke sekuestruar 303 kilogramë drogë në Algeciras dhe arrestuar gjashtë persona, katër prej të cilëve shtetas shqiptarë. Mes të arrestuarve janë edhe drejtuesi i dyshuar i organizatës në Spanjë dhe krahu i tij i djathtë, të cilët jetonin prej vitesh në Valencia.
Ngarkesa prej rreth 300 kilogramësh përbënte një test për organizatën shqiptare, e cila synonte të zhvendoste trafikun e kokainës nga porti i Valencias drejt Algecirasit. Nëse transporti do të realizohej me sukses, trafikantët planifikonin të sillnin sasi shumë më të mëdha droge për t’i shpërndarë më pas në tregun evropian.
Ndryshimi i itinerarit erdhi pas operacionit policor “Spider”, i zhvilluar në shtator 2025 në Valencia, ku autoritetet arrestuan 81 persona, përfshirë 17 punonjës portualë. Goditja e rrjeteve që nxirrnin kokainën nga kontejnerët i detyroi trafikantët të kërkonin rrugë të tjera.
Hetimet e njësive antidrogë UDYCO dhe GRECO nisën në prill 2026, pasi policia zbuloi se një grup shqiptarësh me bazë në Valencia po përpiqej të organizonte transportin e kokainës përmes jugut të Spanjës.
Sipas hetuesve, drejtimin e përgjithshëm të operacionit dyshohet se e kishte një shtetas shqiptar që ndodhej në Shqipëri. Autoritetet spanjolle e njihnin nga hetime të mëparshme për trafik droge dhe e kishin ekstraduar në Shqipëri pas arrestimit të tij të fundit në Spanjë.
Trafikantët e kishin fshehur drogën mes paletave me mish pule të ngrirë. Ngarkesa tregtare kishte si destinacion Kepin e Gjelbër, por kontejneri duhej të kalonte fillimisht nga porti spanjoll i Algecirasit.
Më 17 nëntor, anija tregtare “Maersk Lota” mbërriti në Algeciras, ku kontejneri do të transferohej në anijen “Raquel” për të vijuar drejt portit të Mindelos, në ishullin São Vicente.
Një grup bashkëpunëtorësh mori përsipër nxjerrjen e kokainës nga kontejneri dhe transportimin e saj drejt një vile në kompleksin rezidencial Benharas, në Los Barrios, pranë Algecirasit.
Policia ndërhyri në momentin kur të dyshuarit po ngarkonin kutitë me drogë në dy automjete. Agjentët arrestuan në vend tre persona, një shtetas spanjoll të lindur në Marok, një shqiptar dhe një brazilian.
Sipas hetuesve, dy të parët do të transportonin kokainën, ndërsa braziliani përfaqësonte furnizuesit e drogës dhe mbikëqyrte respektimin e marrëveshjes.
Në afërsi, policia arrestoi edhe një tjetër shqiptar, i cili drejtonte një automjet të tretë që do të shërbente si pararojë për të kontrolluar praninë e forcave të rendit përgjatë itinerarit.
Dy drejtuesit kryesorë të dyshuar të organizatës, kreu i rrjetit në Spanjë dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, u arrestuan në një kafene pranë vendit ku po zhvillohej operacioni. Ata kishin udhëtuar nga Valencia drejt Algecirasit për të mbikëqyrur dorëzimin e kokainës.
Operacioni i Policisë Kombëtare spanjolle dhe Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore ndërpreu përpjekjen e organizatës për të hapur një itinerar të ri trafiku, përpara se ajo të realizonte dërgesat më të mëdha që, sipas hetuesve, kishte planifikuar.
Marrë nga Levante-emv.com