Shqipëria ka siguruar medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, që po zhvillohen në Itali, dhe protagonist është mundësi Ardit Zeneli.
Sportisti shqiptar triumfoi në finalen për medaljen e bronzit në peshën deri në 67 kilogramë, në stilin greko-romak, duke mposhtur 9-8 grekun Stavros Ntounias në një përballje të luftuar deri në sekondat e fundit.
Ky është një sukses i rëndësishëm për Zenelin dhe një tjetër konfirmim i nivelit të mundjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Medalja e bronzit është veçanërisht e rëndësishme edhe për stilin greko-romak, i cili i rikthehet skenës së madhe mesdhetare me një rezultat pozitiv për Shqipërinë.
Por mundja shqiptare mund të sjellë edhe medalje të tjera në Taranto. Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev kanë siguruar tashmë vendin në finale dhe do të synojnë medaljen e artë.
Abakarov do të përballet me turkun Ahmet Duman, ndërsa Dudaev do të ketë përballë maqedonasin Fati Vejseli.
Kështu, pas medaljes së Zenelit, pritshmëritë për një bilanc edhe më të pasur të Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare janë të mëdha, me mundësinë që flamuri kuqezi të ngjitet edhe më lart në podium.
Marrë nga Syri.net