Ka shkuar në 37 numri i personave që kanë humbur jetën dhe afro 400 të tjerë janë evakuuar pasi një sulm me dron rus goditi një depo ku ruheshin armë për ushtrinë ukrainase pranë një zone të banuar në periferi të Kievit.
Sulmi shkaktoi shpërthimin e predhave, minave dhe dronëve të depozituar aty vonë të premten në mbrëmje,(28 gusht) duke krijuar një valë të fuqishme shpërthimi që dëmtoi ndërtesat përreth, përfshirë një qendër kujdesi për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ai deklaroi se depoja e armëve “nuk duhej të ishte aty” dhe se është nisur një hetim për atë që e quajti “neglizhencë të rëndë nga ata që kanë ruajtur lëndë shpërthyese pranë banorëve”.
Ky është sulmi i dytë ndaj një depoje municionesh pranë Kievit në muajt e fundit, duke shkaktuar reagime dhe zemërim të ri në Ukrainë.
Sipas kreut të administratës rajonale, Tymur Tkachenko, mes 42 të plagosurve nga shpërthimi i së premtes në mbrëmje janë edhe katër fëmijë. Operacionet e shpëtimit vazhduan edhe të shtunën në zonën e Buchas, ku ndodhi ngjarja.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e saj kishin goditur “një depo municionesh” në fshatin Myla, në perëndim të kryeqytetit ukrainas, ku ruheshin “komponentë dhe përforcues lëshimi për mjetet ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi FP-1 dhe FP-2”.
Zelensky e cilësoi vendimin për ruajtjen e lëndëve shpërthyese në atë zonë si “absolutisht të papranueshëm”, duke shtuar se janë hapur procedime penale për “neglizhencë në detyrë”.
Më herët, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës bëri të ditur se po shqyrton “ligjshmërinë e vendosjes dhe ruajtjes së materialeve dhe objekteve shpërthyese” pranë ndërtesave të banimit në Myla.
Autoritetet ukrainase njoftuan se do të hetohen edhe “veprimet e zyrtarëve që morën vendimet përkatëse” lidhur me vendosjen e depos së armëve pranë zonës së banuar.
Më herët, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se “ekzistojnë rregulla të qarta – municionet nuk mund të ruhen pranë shtëpive apo zonave të tjera të banuara”, duke shtuar se “do të nxirren patjetër përfundime dhe përgjegjësi”.
Ai iu referua edhe sulmit ndaj një depoje municionesh në Vyshneve në korrik, ku një shpërthim i dytë pas goditjes vrau nëntë persona, plagosi dhjetëra të tjerë dhe dëmtoi më shumë se 280 banesa.
Ndërkohë, kreu i administratës rajonale Tymur Tkachenko bëri të ditur se një 14-vjeçar u vra në një sulm të veçantë në distriktin Boryspil. Nga ana tjetër, kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se një fëmijë dyvjeçar humbi jetën pasi një dron rus u rrëzua në zonën Obolonskyi.
Klitschko shtoi se pesë persona, mes tyre edhe një vajzë 18-vjeçare, u plagosën nga sulmet e reja mbi kryeqytetin ukrainas të shtunën në mëngjes. Sipas autoriteteve lokale, gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën pesë persona në mbarë Ukrainën.
Zelensky raportoi gjithashtu për sulme të tjera gjatë natës në rajonet e Odesës, Dnipropetrovskut, Sumyt dhe Zaporizhias, ndërsa ushtria ukrainase deklaroi se ka rrëzuar 233 dronë rusë.
Marrë nga BBC