Më shumë se 1,000 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet shkatërruese në Nepal, ndërsa mbi 3,900 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas autoriteteve vendase.
Operacioni i kërkim-shpëtimit është intensifikuar dhe po drejtohet nga personel ushtarak nepalez dhe kinez, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga India, Koreja e Jugut dhe Australia. Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, tha se 279 persona janë shpëtuar nga zonat e prekura.
Familjarët e personave të zhdukur vazhdojnë të shpresojnë se të afërmit e tyre janë gjallë. Anushila Bhandari, bashkëshortja e inxhinierit 33-vjeçar Aurus Bhandari, i cili rezulton i zhdukur në një nga vendet e projekteve, tha se dëshiron që ai të gjendet dhe të kthehet në shtëpi.
Edhe familjarë të tjerë besojnë se ekziston ende mundësia për shpëtimin e të bllokuarve, pasi tunelet mund të kenë sisteme oksigjeni. Sita Pandey, bashkëshortja e një punëtori të zhdukur, tha se ruan ende 50% shpresë se ai është gjallë për shkak të pranisë së sistemit të oksigjenit.
Familjet kanë kritikuar ritmin e operacionit të shpëtimit, duke kërkuar që ndërhyrja të përshpejtohet. “Sa më shumë kohë të duhet, aq më shumë shuhet shpresa jonë”, tha Jiban Khadka, i cili ka një të afërm të bllokuar në një prej impianteve.
Sipas inxhinierit australian Arnold Dix, i cili ka këshilluar autoritetet nepaleze për operacionet e kërkimit nëntokësor, ekipet e shpëtimit po përballen me vështirësi të mëdha për të lokalizuar tunelet.
Dix tha se, pasi të përcaktohet vendndodhja e saktë e tuneleve, ekipet mund të përdorin gërmimin dhe shpërthimet për të hapur rrugën për te personat e bllokuar. Sipas tij, në zonë ndodhen gurë më të mëdhenj se shtëpitë, duke e bërë operacionin jashtëzakonisht të vështirë.
Vetëm rreth 4% e 900 trupave të gjetur deri tani janë identifikuar, sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Punonjësit mjekësorë dhe vullnetarët po marrin mostra ADN-je nga trupat e paidentifikuar për t’u mundësuar familjeve identifikimin dhe marrjen e eshtrave të të afërmve të tyre.
Marrë nga Reuters