Mbyllet mbledhja urgjente e kryeprokurorëve të rretheve me prokurorin e përgjithshëm, Olsjan Çela. Burime të pranishme në mbledhje i thanë gazetares së Top Channel, Anila Hoxha se po shqyrtohet mundësia për të bërë padi civile për zhbllokimin e situatës dhe jo për të bërë kallëzim penal në SPAK.
Do të diskutohet edhe mundësia e kallëzimit penal në SPAK ndaj Ministrisë së Financave.
Një burim pranë SPAK ka konfirmuar se edhe prokuroria e posaçme në muajin gusht ka dorëzuar listpagesën dhe punonjësit janë paguar sipas formulës së vjetër.
Por sot kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho ka kryer një mbledhje me prokurorët e posaçëm, ku është diskutuar sesi do të veprohet me listpagesat për shtatorin.
Në këtë mbledhje, burime të pranishme dhe shumë të sigurta, i thanë gazetares Hoxha, se është vendosur që listpagesat e shtatorit për prokurorët e posaçëm dhe administratën e SPAK të kalohen sipas formulës së re të urdhëruar nga Kushtetuesja në shkurt 2026.
Marrë nga Top Channel