Dy emaile të shtatorit 2020, të administruara si prova nga SPAK dhe që janë publikuar këtë të enjte në media tregojnë se Belinda Balluku merrte drejtpërdrejt nga studio “Atelier 4” projektet e vilës në Palasë, më shumë se një muaj përpara se në dokumentet e pronës të shfaqej emri i Igli Tares. Sipas prokurorëve të SPAK, vila ishte në “pronësi faktike” të Ballukut që porositi detajet e projektimit, ndërsa ish-futbollisti dhe ish-drejtori sportiv i Lazios u përdor për të fshehur pasuritë e ish-ministres.
Emaili i parë mban datën 14 shtator 2020. Studio e arkitekturës i dërgonte Ballukut një version të rishikuar të projektit dhe diskutonte me të deri në detaj mënyrën se si duhej të dukej vila. “Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel”, shkruhej në emailin e Alban Eftimiut.
Projekti parashikonte një pishinë infinity me tavolinë ngrënieje në nivelin e ujit, hapësira të veshura me “teak” një lloj druri tropikal që përdoret për dyshemetë e jahteve për një “feeling pak më të ngrohtë e pak si jaht” dhe dy vaska hidromasazhi sipas modelit të hotelit “Roccabella” në Santorini. Studio i shkruante gjithashtu se dhomat do të punoheshin me variante të tjera dhe se, nëse zgjidhja e propozuar nuk ishte në shijet e Ballukut, mund të riktheheshin “tek mermerët blu”. Më poshtë teksti i plotë i emailit.
“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënieje në një nivel me ujin që të shijohet në maksimum “infinity pool”. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë. Në 2 krahët anësore të shtëpive në nivelin e hyrjes dhe suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini). Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek “master bedroom” janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me “teak” për një “feeling” pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të përfundojmë dhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”.
Katër ditë më vonë, më 18 shtator, “Atelier 4” i dërgoi Ballukut një dokument prej 11 faqesh me planimetritë dhe projektet e dy objekteve të emërtuara “Vilat binjake”. Pra, në shtator 2020 Balluku merrte variantet e projektimit dhe propozime konkrete për arredimin dhe funksionimin e vilës.
Vetëm më pas, më 26 tetor 2020, u firmos kontrata e sipërmarrjes në emër të Igli Tares për shumën 250 mijë euro. SPAK thotë se kjo kontratë ishte fiktive dhe se Tare u përdor pikërisht “për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar”. Sipas Prokurorisë, kjo shumë mbulonte investimin deri në fazën e karabinasë.
Më vonë në skemë hyri Arbër Abazi, pronari i “Alko Impex General Construction”. SPAK thotë se ai mori përsipër pjesën tjetër të investimit në vilë, me një vlerë nga 288,616 deri në 410,526 euro. Në të njëjtën kohë, kompania e tij ishte pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, një procedurë me fond limit rreth 2.35 miliardë lekë pa TVSH.
SPAK thotë se Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, “në këmbim të favorizimit të shoqërisë ‘Alko Impex General Construction’, ka kërkuar dhe marrë nga Arbër Abazi “vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve” në vilën e Palasës. Pra, sipas SPAK, një pjesë e kostos së vilës u pagua nga Arbër Abazi në këmbim të tenderit që ai fitoi nga ARRSh.
Kur ndërtimi përfundoi, sipas SPAK-ut, Igli Tare u përdor përsëri. Më 12 shtator 2025 u hartua një kontratë shitjeje për regjistrimin e pronës në emrin e tij, të cilën Prokuroria e konsideron sërish fiktive. Në këtë mënyrë, Tare shfaqet në të dy skajet e skemës: në vitin 2020, kur vila nisi të formalizohej në dokumente, dhe në vitin 2025, kur u regjistrua pronësia.
Vila në Palasë është e dyta që SPAK ia atribuon faktikisht Ballukut dhe që rezulton e lidhur me emrin e Igli Tares. Më herët Prokuroria sekuestroi edhe një vilë në kompleksin “White Rock” në Dhërmi, po ashtu të regjistruar në emër të Tares. Në atë rast, SPAK tha se vila dyshohej si përfitim i parregullt në këmbim të favorizimit të një operatori ekonomik në një tender për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol-it, në kohën kur Balluku drejtonte institucionin.
Me sekuestrimin e vilës së Palasës, pozicioni i Ballukut u rëndua më tej. Përveç akuzave për shkeljen e barazisë në tendera në tetë procedura, Balluku dyshohet tashmë edhe për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Arbër Abazi dyshohet për korrupsion aktiv, ndërsa Igli Tare për pastrim parash.
E rëndësishme është të kujtohet se përgjatë mbrojtjes publike që Edi Rama i bëri Ballukut rreth një vit më parë kur kundërshtoi kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, kryeministri theksonte faktin se Balluku nuk akuzohej për korrupsion, por vetëm për shkelje të barazisë në tendera. Më 13 mars ai shprehej se “në këtë rast nuk përballemi me një çështje korrupsioni, sepse vetë prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion”, një ide që e përsëriti disa herë.
Situata penale e Ballukut ka ndryshuar tashmë. SPAK ka gjetur përfitimet konkrete nga tenderat e rrugëve duke e rënduar ndjeshëm situatën e ish-zv.kryeministres. Vetë Balluku ka qëndruar në heshtje tashmë prej një viti.
Edhe sot, pas daljes së emaileve në media, mesazhi që shpërndau ishte ai i takimit me socialistët në Fier, në qarkun ku i siguroi Edi Ramës 12 deputetë në zgjedhjet e fundit.
Marrë nga Lapsi.al