Tentativa e tretë e dështuar e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për liri, i cili prej 19 muajsh drejton kryeqytetin nga qelia, u komentua nga kryeministri Edi Rama menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtas nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq”, shkroi Rama.
Erion Veliaj mbahet në burgun e Durrësit që prej 10 shkurtit 2025, nën akuzat e SPAK-ut se ai dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro para publike, të cilat, sipas akuzës, janë përdorur për bizhuteri e veshje dhe janë kanalizuar përmes një rrjeti organizatash jofitimprurëse.
Këto, së bashku me 13 akuzat e ngritura nga SPAK-u, bënë që Gjykata e Lartë të rrëzonte kërkesën për zbutjen e masës së arrestit dhe të linte Veliajn në qeli. Por vendimi i gjykatës dukshëm nuk gjeti mbështetjen e kryeministrit.
“Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”, shkruan Rama.
Por qëndrimi i Ramës në këtë rast nuk është i njëjtë me atë që kryeministri ka përsëritur prej vitesh: se ai nuk i komenton vendimet e gjykatave.
“Rastet unike” në botë të qeverisë Rama
“Vendimi i sotëm nuk komentohet, vetëm respektohet”, do të deklaronte Edi Rama në fundpranverën e vitit 2018, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit shtëpiak për Saimir Tahirin, në atë kohë ministër i Brendshëm dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të kryeministrit.
Në vitet që pasuan, kjo u kthye në një togfjalësh të përsëritur nga kryeministri, sa herë që drejtësia merrte vendime që preknin zyrtarë të lartë socialistë.
Ky qëndrim u bë edhe më i prerë pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në një përpjekje për të përcjellë mesazhin se proceset gjyqësore përbënin një proces të pavarur jashtë influencave politike.
Ndërsa reforma në drejtësi zinte një vend qendror në fjalimet e kryeministrit si një prej arritjeve kryesore të qeverisjes së tij, rritja e numrit të zyrtarëve të lartë që po përballen me drejtësinë duket se po e sfidon gjithnjë e më shumë këtë narrativë.
Ditën e sotme, ai sërish e rikujtoi këtë rregull.
“Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nënshtrohem gjithnjë këtij rregulli, madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë”, tha ai.
Megjithatë, ndryshe nga ç’kërkon rregulli, ai e komentoi, dhe ky nuk ishte rasti i vetëm që kryeministri shkeli rregullin e vënë vetes.
Në shkurt 2026, ndërsa SPAK-u kërkoi heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nën dyshimet për kryerjen e katër veprave penale, Edi Rama doli publikisht kundër veprimit të Prokurorisë së Posaçme.
Çështja “Balluku”, pas zvarritjeve disamujore dhe dështimeve të mbledhjeve të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, mbërriti edhe në Gjykatën Kushtetuese, pas një ankimi të depozituar nga vetë kryeministri.
Edhe këtë herë, argumenti i përdorur për të përligjur ndërhyrjen ishte “interesi publik”, ndërsa masa e SPAK-ut për pezullimin e Ballukut nga funksioni i ministres u cilësua nga Rama si “rasti i pandodhur kurrë në botë”.
“Një masë absurde, që siç e kemi shpjeguar më parë, pezulloi faktikisht funksionin, jo thjesht personin, prandaj edhe nuk ka ndodhur kurrë dhe askund tjetër në botë, një budallallëk i kësaj natyre”, deklaroi Rama.
Me shtimin e viteve dhe të zyrtarëve të lartë që përballen me drejtësinë, duket se respektimi i rregullit të kryeministrit për të mos komentuar vendimet gjyqësore po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Kjo duket se ka impaktuar edhe narrativën e kryeministrit kundrejt sistemit të drejtësisë. Ajo që për kryeministrin ishte “meritë ekskluzive e vullnetit të tij politik”, në kundërshtimet për rastin Balluku, kërkesat e gjyqtarëve i cilësoi si “marrëbëzëri”, “skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues” e madje një vendim në favor të tyre do të ishte një “turp kombëtar”.
Në qëndrimet e tij të fundit, Rama ka mbajtur një qëndrim kundërshtues edhe ndaj ngërçit të krijuar me pagat e magjistratëve.
Ai ka kundërshtuar vendimmarrjen e KLGJ-së dhe KLP-së për zbatimin e formulës së re të pagave, duke e cilësuar atë si një vetëautorizim institucional të paligjshëm dhe duke argumentuar se askush nuk mund ta urdhërojë Parlamentin se si duhet të votojë.
Marrë nga Shteg.org