Kompanitë guaskë dhe strukturat komplekse korporative rezultojnë mekanizmi më i përhapur i identifikuar nga autoritetet për pastrimin profesional të parave, ndërsa tregtia, asetet virtuale dhe pasuritë e paluajtshme shfaqen gjithashtu mes kanaleve kryesore.
Sipas anketimit të FATF, 67% e juridiksioneve që iu përgjigjën pyetësorit identifikuan kompanitë guackë, strukturat me persona të emëruar dhe marrëveshjet komplekse korporative si një nga kanalet ose teknikat e përdorura për pastrimin profesional të parave. Kjo përqindje nuk tregon pjesën e parave që pastrohen në këtë mënyrë, por peshën e vendeve që e kanë identifikuar teknikën në territorin e tyre.
Në vendin e dytë është pastrimi i parave përmes tregtisë, i identifikuar nga 36% e juridiksioneve, ndërsa 33% përmendin bankimin nëntokësor dhe sistemet e ngjashme me hawala-n. Asetet virtuale identifikohen nga 31%, transaksionet me pasuri të paluajtshme nga 28%, ndërsa ndërmjetësit profesionalë dhe keqpërdorimi i shërbimeve ligjore nga 18%.
FATF evidenton se këto metoda nuk përdoren domosdoshmërisht të ndara nga njëra-tjetra. Rreth 80% e juridiksioneve raportojnë se bankimi nëntokësor dhe shërbimet e ngjashme kombinohen me metoda të tjera, si kompanitë fasadë, tregtia, kriptoasetet, pasuritë e paluajtshme, mallrat e luksit dhe metalet e çmuara.
Kjo krijon zinxhirë hibridë, ku fondet mund të hyjnë përmes një biznesi në dukje të ligjshëm, të kalojnë në një kompani tjetër, të shndërrohen në asete ose kripto dhe më pas të rikthehen në ekonominë formale.
Marrë nga Ekofin.al