Në javën e parë të protestave të përditshme të “Revolucionit Flamingo”, një djalë rreth të 30-ave afrohet në qendrën e zërit për të shprehur shqetësimet mbi mënyrën se si sipas tij, qytetarët janë trajtuar nga qeverisja katërmandatore e Ramës në bashkëpunim me Berishën, dy krerët e partive më të mëdha në vend.
“Do të flas 8 minuta dhe nuk do të më ndërprisni” ishte nisja e fjalimit të tij që vijoi duke listuar arsyet pse ka dalë të protestojë. Në fund ai u shpreh se nuk do t’a marrë më fjalën dhe prej asaj dite i ka qendruar këtij vendimi.
Sot, në ditën e 109 të levizjes ai njihet si ‘djali i pankartës së madhe” pasi prej rreth tre muajsh mban në krahë pankartën në të cilën shkruan mesazhet që i përshtaten ngjarjeve më aktuale. Kryesisht, pankarta ka qenë lajmëtare për data kyçe të protestave që pritet të ndodhin në vijim.
Quhet Ani Marku, është arkitekt me profesion dhe si kolegët e tij, e sheh Tiranën si të tejurbanizuar dhe të keqmenaxhuar. Sipas tij, ky keqmenaxhim vjen nga ndërhyrja e një grushti njerëzish që kanë interesa, ndër të cilët janë dhe starkitektët që u’a pamundësojnë akitektëve vendas shtrirjen me të gjerë profesionale.
“Në Tiranë nuk po na jepet mundësia t’i japim kontributin tonë profesional, pasi zërin tonë dhe vullnetin tonë e vendosin një grup i vogël studiosh projektuese të favorizuara nga qeveria. Të gjithë e ndjejnë Tiranën, domethënë jemi kaq pak njerëz në këtë sipërfaqe dhe është kaq keq e menaxhuar,” u shpreh Ani Marku.
Por, ajo ç’ka vihet re është që, ndryshe nga kolegët e zanatit të tij, Ani fokusohet më shumë të pabarazitë sociale sesa katrahura urbanistike. Për të, angazhimi qytetar është i domosdoshëm dhe për këtë arsye ka qenë pjesëmarrës në të gjitha protestat e mëdha.
“Unë kam qenë nëpër protesta, protesta e studentëve, protesta e armëve kimike, domethënë kam marrë pjesë në disa nga protestat kryesore. S’mund ta lejojmë të na trajtojnë një grup i vogël njerëzish si të duan ata,” u shpreh djali i pankartës më të lehtë identifikueshme në shesh.
Prej mbi 100 ditësh Ani, baba i një vajze, ka ardhur në protestë dhe e sheh organizimin qytetar i ndër më të bukurit, pasi tashmë qytetarët, më në fund, janë solidarizuar me njëri tjetrin dhe energjia që qarkullon mes turmës është e pakrahasueshme.
“Momenti i parë që pashë protestën dhe pashë atë energjinë e bulevardit, që atë ditë jam dashuruar me këtë energji të bulevardit. Ai qershori ka qenë vërtet frymëzim për mua që të besoj që në rregull, ne vërtetë kemi ndryshuar, ne vërtet jemi gati për ndryshimin. Në qoftë se më përpara kam qenë gjatë gjithë kohës ‘ore si ka mundësi që ne nuk po e ngremë zërin, kur çdo ditë po i jetojmë këtë padrejtësi’, aty thashë në rregull, e vendosa, do i shkojmë deri në fund tashi,” u shpreh ai.
Ndërsa bisedonim, Ani tha se pankarta është bërë pjesë e pandashme e tij dhe shtoi që ideja për të improvizur një pankartë të tillë, e cila rëndon disi për shkak të madhësisë, erdhi si nevojë e mediave që doni të minimizonin angazhimin e protestuesve apo edhe “patronazhistëve” që ecin këmbazi me propagandën e qeverisë.
“Pankarta ka evoluar, nisi me një thirrje të vogël. Të gjithë e dimë që mes nesh ka dhe ushtarët e Ramës që po e ndihmojnë Ramën të mos e lëshojë pushtetin. Këta ushtarë po mundohen të zvogëlojnë zërin e qytetarëve dhe unë vendosa që zërin tim ta ngrej nëpërmjet kësaj pankarte sa më lart të jetë e mundur,” tha Ani për Citizens.al.
Në shesh, horizontaliteti organik i protestës duket se i ka mbajtur protestuesit të lidhur fort me njëri-tjetrin. Pas dekadash ku qytetarëve u është imponuar kultura e liderit, dukej thuajse e pamundur një lëvizje “pa kokë”. Derisa ndodhi.
Për Anin, është e rëndësishme që të ketë sa më shumë përplasje idesh, në mënyrë që të merrren vendimet e duhura për të mirën e përbashkët.
“Na duhet të ndryshojmë këtë mentalitet, që duhet të kemi patjetër një lider. Ky mentalitet i liderit duhet të vdesë. Kemi mundësinë të flasim e të ndajmë idetë dhe, sa më shumë të jemi, aq më të fortë mund ta bëjmë vendin tonë”, u shpreh djali i pankartës, me të cilin e mbyllëm bisedën me një mesazh jo vetëm për protestuesit, por edhe për ata që zgjodhën të mos riktheheshin më në protestë apo që s’u ka shkelur këmba në bulevard pasditeve.
“Kjo protestë, o i shkojmë deri në fund, o nuk përsëritet më për shumë vite. Kini besim që do ia dalim, fuqia është e jona, nuk është e 140 njerëzve”, përfundoi ai.
Ani, ndër të rinjtë e guximshëm, prezent edhe në protestat para parlamentit, është një ndër personazhet më të dashur të protestës, të cilin siç thonë edhe qytetarët e tjerë protestues, i duhet ‘Shqipërisë së re”.
Marrë nga Citizens.al