Në një artikull për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) me titull “Fjala e parafundit” autori, Michael Martens, i konsideron vendimet e Gjykatës Speciale në Hagë si të mbështetura në prova. Megjithatë, ai ngre pikëpyetje, lidhur me proporcionalitetin e dënimeve, veçanërisht kur krahasohen me dënimet e shqiptuara ndaj kriminelëve serbë të luftës.
Sipas autorit vendimi i Gjykatës Speciale për Kosovën kundër ish-udhëheqësit të UÇK-së dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ishte nga pikëpamja juridike fjala e parafundit. Ende pritet të zhvillohet procesi i apelimit.
“Megjithatë, duke pasur parasysh provat e paraqitura, dënimi i Thaçit duket i bazuar dhe i drejtë. Të paktën sipas njohurive që ekzistojnë aktualisht, duket pak e mundshme që apelimi të përfundojë me shpallje të pafajësisë.” – thuhet në artikull.
A është i drejtë vendimi sa i përket masës së dënimit?
Nëse dënimi me 25 vjet burg i shqiptuar tani qëndron në një raport të arsyeshëm me dënimet e dhëna ndaj kriminelëve serbë të luftës, kjo mbetet një çështje që të paktën në dritën e historisë, mund të vihet me të drejtë në pikëpyetje, thekson autori.
“Verdikti nuk duhet të çojë në shtrembërimin e përmasave historike të ngjarjeve në Kosovë në vitin 1999. Konflikti u nxit nga politika e serbo-madhe e sundimtarit të atëhershëm serb, Slobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006. Forcat serbe të sigurisë kanë kryer krime shumë më të mëdha sesa ato për të cilat akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Viktimat nuk duhet të shndërrohen automatikisht në autorë krimesh.”
Pikërisht për këtë arsye gjykata veproi drejt kur theksoi se në Hagë nuk po gjykohen shqiptarët e Kosovës si popull, as UÇK-ja në tërësi dhe as lufta e saj për pavarësi.
Përballë shtypjes serbe kjo luftë ishte e pashmangshme, por kjo nuk do të thotë se çdo veprim i kryer gjatë saj ishte i justifikueshëm.
Marrë nga Deutsche Welle