Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka nisur hetimet për krime zgjedhore lidhur me zgjedhjet e zhvilluara më 11 maj 2025. Përmes një kërkese zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila është siguruar nga VNA, organi i akuzës ka kërkuar sekuestrimin e listave të zgjedhësve për 12 Qendra Votimi në qarkun e Lezhës.
Sipas dokumentit zyrtar të protokolluar më 5 maj 2026, hetimet janë regjistruar për procedimin penal nr. 603 të vitit 2026, nën dyshimet për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, e parashikuar nga neni 327/a i Kodit Penal. Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e një referimi të bërë nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në funksion të këtij hetimi, Zv. Drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Arben Nika, i ka kërkuar KQZ-së vënien në dispozicion të kopjeve të njehsuara me origjinalin të listave të zgjedhësve ku pasqyrohen pjesëmarrësit dhe nënshkrimet e tyre gjatë procesit të votimit.
Qendrat e votimit nën lupën e Prokurorisë:
Hetimet shtrihen në tri bashkitë e qarkut Lezhë, ku përfshihen qendrat e votimit të mëposhtme:
Bashkia Lezhë: QV nr. 0686/00, QV nr. 0697/00, QV nr. 0697/01, QV nr. 0704/00, QV nr. 0705/01, QV nr. 0712/00, QV nr. 0717/00, QV nr. 0749/00, dhe QV nr. 0749/01.
Bashkia Mirditë: QV nr. 0808/00 dhe QV nr. 0891/00.
Bashkia Kurbin: QV nr. 0847/01.
Dokumentacioni i kërkuar nga prokuroria pritet të verifikojë nëse ka pasur parregullsi me nënshkrimet e votuesve ose raste të votimit të dyfishtë gjatë procesit zgjedhor.
Marrë nga VNA.al