Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke shprehur një mesazh të shkurtër përmes rrjeteve sociale.
Artistja ka shpërndarë një video me pamje nga protestat, të cilën e ka shoqëruar me fjalët: “Të rinjtë janë e ardhmja”.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur studentë dhe qytetarë janë mbledhur në Tiranë për të shprehur pakënaqësitë e tyre, ndërsa pamjet nga protestat kanë marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale.
Protestat, të cilat fillimisht u përqendruan te kërkesat për përmirësimin e kushteve në universitete, mbështetjen për studentët dhe krijimin e më shumë mundësive për punësim, janë zgjeruar edhe në kundërshtim ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Gjatë ditëve të fundit, situata është shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, si dhe me raportime për përdorimin e gazit lotsjellës, topave të ujit dhe plumbave prej gome.
Përmes mesazhit të saj, Bebe Rexha ka vënë në pah rolin e të rinjve në shoqëri dhe rëndësinë e tyre për të ardhmen, në një periudhë kur protestat në kryeqytetin shqiptar po shoqërohen me kërkesa të ndryshme qytetare dhe politike.
Marrë nga Albinfo.ch