KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Si po e trondit Tiranën, vala e protestave rinore kundër korrupsionit
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > Si po e trondit Tiranën, vala e protestave rinore kundër korrupsionit
AnalizeFokusKryesoreOpinionSocialeZhvillim

Si po e trondit Tiranën, vala e protestave rinore kundër korrupsionit

Përditësimi i fundit: 22 Tetor, 2026 10:32 am
41 Shikime
Share
13 Min. Leximi
SHARE

Në rrugët e Tiranës, ajri mban ende erë gaz lotsjellës, ndërsa tingulli i ujit me presion dhe shpërthimet e granatave shurdhuese, janë kthyer në sfondin e përditshëm të kryeqytetit shqiptar.

Ajo që nisi muaj më parë si një revoltë e izoluar mjedisore kundër një projekti luksoz turistik në Ishullin e Sazanit, tashmë është transformuar në lëvizjen më të madhe pro-demokraci dhe kundër korrupsionit që vendi ka parë në dekadat e fundit.

E emërtuar si “Revolucioni i Flamingove”, kjo valë trazirash sociale ka përfshirë universitete, sheshe e rrugë, duke vënë përballë një brez të tërë të rinjsh të revoltuar dhe një pushtet të barrikaduar që refuzon të dëgjojë.

Kriza nisi kur vendimi i qeverisë shqiptare për t’i dhënë dritën e gjelbër një projekti zhvillimor në zonën e mbrojtur të Sazanit shkaktoi reagimin e parë të ambientalistëve. Projekti, i mbështetur nga dhëndri dhe vajza e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner dhe Ivanka Trump, u kalua me procedura të përshpejtuara administrative, duke shmangur debatin publik dhe vlerësimet e thelluara të ndikimit në mjedis.

Sazani, një ishull me rëndësi ushtarake dhe me një ekosistem jashtëzakonisht të ndjeshëm, u kthye shpejt në simbolin e asaj që protestuesit e quajnë “grabitje e pronës publike”. Megjithatë, ajo që filloi në bregdetin e jugut nuk mbeti aty.

Me nisjen e vitit të ri akademik, revolta mori një hov të ri kur mijëra studentë vendosën të bojkotojnë auditoret dhe t’i bashkohen marshimeve në rrugë. Tarifat e larta të studimit, kushtet e mjerueshme të konvikteve, mungesa e punësimit real dhe perspektiva e zymtë ekonomike i shtynë të rinjtë të marrin në dorë fatin e protestës.

Për Luljeta Kolën, një nga zërat e shumtë që protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit, revolta nuk ka të bëjë më vetëm me një projekt ndërtimi, por me vetë mbijetesën e popullit shqiptar.

“Çfarë kërkon Shqipëria? Kërkon një revolucion, një ndryshim, përmbysje të plotë të sistemit, sepse nuk shkon më kështu! Këta njerëz janë bërë miliarderë, super-miliarderë, ndërsa këtu ka njerëz shumë të varfër,” shprehet Kola me një ton të prerë, duke treguar me dorë nga ndërtesat qeveritare të rrethuara nga forcat me pajisje demonstrimi.

Mungesa e shpresës ka prodhuar një eksod masiv gjatë dekadës së fundit. Raportet tregojnë se të paktën gjysmë milioni të rinj janë larguar nga vendi gjatë dhjetë viteve të fundit në kërkim të një të ardhmeje më të mirë në Evropë apo Amerikë.

Për ata që kanë mbetur, jetesa është kthyer në një betejë të përditshme me çmimet e papërballueshme të ushqimeve dhe qirave. Zemërimi i të rinjve është i drejtuar ndaj të gjithë kastës politike që ka udhëhequr vendin gjatë tri dekadave të tranzicionit.

Uliks Skenderaj, një tjetër i ri i pranishëm në protestë, e sheh këtë lëvizje si një ndarje përfundimtare me të shkuarën. “Ekonomia, si dhe arsimi e shëndetësia, çdo gjë ka marrë tatëpjetën prej shumë vitesh. Të gjithë politikanët e të dyja palëve, e dy partive kryesore, duhet të ikin. Kjo është ajo që kërkon brezi i ri”, thotë Skenderaj.

Ndërsa ditët kalojnë, kërkesat e protestuesve janë radikalizuar. Ajo që nisi si kërkesë për anulimin e projektit të Sazanit dhe rritjen e buxhetit për arsimin, tashmë është shndërruar në një thirrje të hapur për rrëzimin e të gjithë kabinetit qeveritar.

Nderime Vladi, e cila ka qenë në ballë të demonstratave që nga ditët e para, këmbëngul se asnjë kompromis nuk është i mundur pa dorëheqjen e drejtuesve të shtetit. “Që ne të ndalojmë protestat, e para Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë. Në sekondën që ai jep dorëheqjen, duhet të dorëhiqet i gjithë kabineti i tij”, deklaron Vladi.

“Ata meritojnë burgun për çdo akt korrupsioni që kanë bërë. Kanë bërë aq shumë sa nuk mund t’i numëroj me gishtat e duarve se çfarë i kanë bërë këtij vendi. Korrupsioni është në nivele të paparë kurrë në asnjë shtet tjetër të botës”, nënvizon ajo.

Reagimi i pushtetit ndaj këtyre kërkesave ka qenë i ashpër. Pasi iniciativa e kryeministrit për të nxjerrë disa karrige jashtë parlamentit si simbol dialogu u refuzua nga protestuesit – të cilët i thyen karriget në shenjë proteste – policia nisi një operacion masiv spastrimi në rrugë.

Më shumë se 500 persona janë arrestuar, ndërsa përdorimi i plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe dhunës fizike ka shkaktuar dhjetëra të plagosur. Gjatë një dalje publike, kryeministri Edi Rama refuzoi idenë e dorëheqjes, duke pretenduar se protestat dëmtojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe duke i etiketuar protestuesit si të ndikuar nga lëvizjet radikale të huaja.

“Ata janë të rinj e të reja që janë ideologjizuar dhe radikalizuar nën presionin apo frymëzimin e asaj force të errët e të re që ka dalë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste: ANTIFA”, pretendoi Rama.

Këto deklarata kanë nxitur edhe më shumë revoltën e aktivistëve që po ndjekin nga afër ngjarjet. Bora Mema, aktiviste, kërkuese shkencore dhe anëtare bashkëthemeluese e partisë Lëvizja Bashkë, e cila po raporton mbi gjendjen në terren, e cilëson përgjigjen e qeverisë si një shfaqje të paprecedentë brutaliteti që nuk është parë në vend prej dekadash.

“Java e kaluar ka qenë mjaft dramatike, për shkak se dhuna dhe brutaliteti që policia ka ushtruar ndaj protestuesve nuk është parë kurrë më parë në këtë vend – madje as në vitin 1991, kur Partia Komuniste ishte ende në pushtet dhe ishte një regjim diktatorial,” shpjegon Mema. “Ajo që po shohim deri më tani është diçka e paprecedentë në rrugët e Shqipërisë.”

Sipas Memës, përshkallëzimi i protestave ishte një rrjedhojë e natyrshme e injorimit të gjatë që pushteti i bëri zërit të qytetarëve gjatë më shumë se 140 ditëve protestë paqësore. “Kjo nuk është një protestë e izoluar apo thjesht një protestë studentore. Kjo është pjesë e më shumë se 143 ditëve të vazhdueshme të ‘Revolucionit të Flamingove’.

Por lëvizja mori një kthesë të fortë sepse studentët vendosën të bojkotojnë universitetin. Viti akademik nis në fillim të tetorit dhe studentët gjykuan se nuk ka asnjë kuptim të shkohet në mësim për sa kohë që ka një protestë kaq të madhe prej kaq muajsh kundër rrëmbimit të Sazanit dhe zonave të mbrojtura natyrore të Zvërnecit. Studentët vendosën të bojkotojnë mësimin, ndërsa pedagogët po i mbështesin ata,” thotë ajo.

Aktivistja argumenton se kriza politike është thelluar nga zbulimi i një sërë skandaleve të tjera korruptive gjatë muajve të verës, ku përfshihen drejtues të lartë të institucioneve të sigurisë dhe zyrtarë të qeverisë. Sipas saj, kjo situatë ka konfirmuar se modeli ekonomik i ndjekur nga ekzekutivi, nuk ofron asnjë hapësirë për dinjitetin e rinisë.

“E gjithë kjo revoltë lidhet me faktin se studentët nuk shohin asnjë të ardhme në Shqipëri,” shton Mema. “Qindra mijëra njerëz janë larguar nga vendi brenda një dekade. Shumica e tyre janë të rinj që detyrohen të bëhen emigrantë, siç jam edhe vetë. Ne nuk duam të jemi emigrantë. Ne duam të jetojmë në vendin tonë, por jemi të detyruar të largohemi sepse s’ka punë.

Shqiptarët e kanë të pamundur të paguajnë qiranë apo të përballojnë çmimet në supermarkete që janë më të larta se në Gjermani. Sepse kur vjen puna te pagat, ato janë më të ultat në Evropë. I vetmi model zhvillimi që ofron qeveria është të pastrojmë tualetet e të pasurve dhe mafias në resorte luksoze, si ky që po ndërtojnë Trump, Kushner, oligarkët vendas dhe mafia”, thekson ajo.

Ndërsa rritet numri i të arrestuarve, shqetësimet për respektimin e të drejtave të njeriut janë ngritur në nivelet më të larta. Aktivistët denoncojnë se komisariatet e policisë janë mbushur përtej kapaciteteve, dhe se ndaj protestuesve po përdoret forca disproporcionale për t’i parandaluar ata të marrin pjesë në demonstratat e ardhshme.

“Dhuna e policisë ka qenë ekstreme” denoncon Mema. “Janë më shumë se 500 persona të arrestuar, dhe për shkak se komisariatet janë mbushur plot, policia tani po i rreh rëndë njerëzit – madje edhe protestuesit paqësorë apo qytetarët që thjesht po ecin rastësisht në rrugë – duke i rrahur për t’u thyer gjymtyrët që të mos jenë në gjendje të dalin më në protesta.

Njerëzit që janë mbajtur në qeli janë mbajtur atje për ditë të tëra, edhe pse gjykata ka deklaruar se këto janë arrestime të paligjshme. Në 72 orët e para, atyre u është mohuar madje edhe uji e ushqimi. Kemi të bëjmë me një shkelje ekstreme të të drejtave të njeriut”.

E pyetur mbi pretendimet e qeverisë se protestat po nxitën nga grupe ekstremiste të huaja apo nga organizata të etiketuara si ANTIFA, Mema i hedh poshtë këto deklarata si manovra politike për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale të korrupsionit dhe për të fituar simpati ndërkombëtare.

“Pretendimi se protestat mbështeten nga ANTIFA nuk është fare i vërtetë. Kjo është thjesht një shpifje,” deklaron ajo. “Është thjesht mënyra e tij për t’i bërë qejfin Trump-it, në të njëjtën mënyrë siç po i bën qejfin duke i falur tokën tonë.

Nuk ka asnjë lidhje mes lëvizjeve ANTIFA në Evropë apo SHBA dhe asaj që po ndodh sot në Shqipëri. Por le ta supozojmë për një moment këtë: ‘Antifa’ do të thotë Anti-Fashiste. Dhe natyrisht që protestat tona janë anti-fashiste!

E vetmja gjë fashiste që po ndodh këtu është shtypja nga policia dhe nga qeveria, e cila po kërcënon mësuesit se do të shkarkohen po mbështetën studentët, po kërcënon prindërit dhe po ushtron presion mbi gazetarët. Ky është fashizëm!”, përfundon Mema.

Sot, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq kritik. Nga njëra anë, pushteti kërkon të ruajë imazhin e stabilitetit përpara partnerëve ndërkombëtarë dhe të çojë përpara projekte investimi shumëmilionëshe.

Nga ana tjetër, një brez i ri po refuzon të heshtë, duke kërkuar që ardhmëria e vendit të mos ndërtohet mbi interesat e pakicës, por mbi barazinë, drejtësinë dhe mbrojtjen e pasurisë kombëtare. Për këto arsye, “Revolucioni i Flamingove” nuk është më thjesht një protestë mjedisore. Ai është kthyer në një sprovë historike për demokracinë shqiptare.

 

Marrë nga Democracy Now

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Pas shfuqizimit të ligjit të “Strategjikëve”, qeveria bën gati mekanizmin e ri për t’i dhënë tokë shtetërore, privatit

Dhoma Amerikane: Shkaqet e krizës i kemi paralajmëruar me kohë

Ergys Agasi kërkon t’i kthehen sendet e sekuestruara nga zyra

Nyja gordiane e rrethit vicioz të dhunës

Egnatia në provën e dytë europiane, përballet sot me Aarhus në transfertë

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm Sa bamirës janë shqiptarët?
Artikulli tjetër Plani izraelit për kibucët dhe 4 ligjet e Edi Ramës

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Vuçiç: “Rama është aset i madh për Shqipërinë”, u tregua i butë me protestuesit
Aktuale Koment Kryesore Politike 22 Tetor, 2026
Gjykata liron 8 të mitur të ndaluar në protestë: Arrestimi ishte i paligjshëm
Aktuale Analize Fokus Kryesore Sociale 22 Tetor, 2026
Përse u përshkallëzuan protestat e studentëve?
Analize Fokus Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 22 Tetor, 2026
GJKKO vendos që gjyqi ndaj Metës dhe Kryemadhit të vijojë pa avokatë
Aktuale Analize Fokus Kryesore Politike 22 Tetor, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.