KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Nga protestat në qeverisje, sfida e re e Serbisë
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > Nga protestat në qeverisje, sfida e re e Serbisë
AnalizeOpinionPolitikeRajoniSociale

Nga protestat në qeverisje, sfida e re e Serbisë

Përditësimi i fundit: 26 Tetor, 2026 10:09 am
34 Shikime
Share
20 Min. Leximi
SHARE

Lëvizja studentore, e lindur nga tragjedia e Novi Sadit dhe e shndërruar në një revoltë kombëtare kundër korrupsionit, i dha fund 14 viteve të dominimit politik të Aleksandar Vuçiç në Serbi. Pas gati dy vitesh protestash, studentët arritën ta mposhtin në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, megjithëse asnjëri prej tyre nuk do të jetë deputet.

Rezultatet paraprake të publikuara mëngjesin e 26 tetorit nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK), pas përpunimit të rreth 96,25% të qendrave të votimit (8.077 nga 8.392), tregojnë se Lista Studentore ka siguruar 52,54% të votave, ose 2.211.400 vota, kundrejt 39,29%, ose 1.653.868 vota, për listën “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”. Diferenca mes tyre ka arritur në mbi 557 mijë vota. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 68,78%, ndër nivelet më të larta të dekadave të fundit. Sipas projeksioneve të CeSID dhe Ipsos, Lista Studentore pritet të sigurojë 140 mandate në parlamentin me 250 vende, kundrejt 103 mandateve për listën e Vuçiç. Rezultatet përfundimtare mbeten ende për t’u konfirmuar.

Fitorja hap një kapitull të ri për Serbinë, me sfida që shtrihen nga lufta kundër korrupsionit dhe reforma e institucioneve te modeli ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Aleksandar Vuçiç pranoi humbjen e Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila kishte ardhur në pushtet në vitin 2012. Sipas vlerësimeve të para, Lista Studentore pritej të siguronte 135-140 mandate në parlamentin me 250 vende, kundrejt rreth 105 mandateve për listën e tij.

Rezultatet paraprake të publikuara mëngjesin e 26 tetorit nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, pas numërimit të 7.998 qendrave të votimit, konfirmuan epërsinë e Listës Studentore me 52.33% të votave, ose 2,158,583 vota, kundrejt 39.44%, ose 1,626,684 vota, për listën e Vuçiç. Pjesëmarrja arriti në 68.76%, ndër nivelet më të larta të dekadave të fundit. Rezultatet përfundimtare mbeteshin ende për t’u konfirmuar.

Zgjedhjet u shndërruan në një referendum për vazhdimësinë e sistemit politik që Vuçiç kishte ndërtuar gjatë 14 viteve. Nga Beogradi në Novi Sad dhe Nish, mijëra qytetarë dolën në sheshe për të festuar. Një nga pamjet më simbolike ishte çmontimi i gardheve të kampit “Ćaciland”, një vendgrumbullim i mbështetësve të Vuçiç përpara parlamentit në Beograd, i cili ishte kthyer në simbol të ndarjes politike në vend.

Nga tragjedia e Novi Sadit te lëvizja që ndryshoi Serbinë

Gjithçka nisi më 1 nëntor 2024, kur shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 16 personave. Tragjedia u shndërrua në simbol të korrupsionit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale. Stacioni ishte rinovuar në kuadër të një projekti infrastrukturor të realizuar nga kompani kineze, me të cilin Vuçiç ishte identifikuar politikisht.

Protestat nisën me bllokime rrugësh dhe tubime studentore, duke kërkuar drejtësi për viktimat dhe transparencë mbi përgjegjësitë. Brenda pak muajsh, ato u shndërruan në një lëvizje kombëtare, ku u përfshinë fermerë, punëtorë, aktorë, profesorë, mjekë dhe gjyqtarë. Lëvizja arriti të mobilizonte pjesë të shoqërisë që partitë tradicionale opozitare nuk kishin mundur t’i bashkonin.

Ndryshe nga partitë tradicionale, lëvizja nuk kishte një drejtues të vetëm. Studentët organizoheshin përmes asambleve, të njohura si plenume, ku vendimet merreshin kolektivisht.

Në janar 2025, nën presionin e protestave, kryeministri dha dorëheqjen, por pakënaqësia nuk u ndal. Në mars, Beogradi u bë skena e demonstratës më të madhe kundër qeverisë në historinë e vendit.

Gradualisht, studentët e shndërruan energjinë e protestave në një organizim funksional, duke mobilizuar qytetarët në nivel lokal dhe duke u përgatitur për mbrojtjen e integritetit të votës. Kur Vuçiç shpalli zgjedhjet e parakohshme në shtator 2026, lëvizja ishte gati për përballjen politike. Votimi i 25 tetorit u shndërrua kështu në një referendum për të ardhmen e Serbisë, pas një periudhe të gjatë pakënaqësie me korrupsionin, funksionimin e institucioneve dhe përqendrimin e pushtetit.

Studentët fituan zgjedhjet, por nuk do të jenë deputetë

Një nga veçoritë e Listës Studentore ishte mënyra e përzgjedhjes së 250 kandidatëve për deputetë. Ndryshe nga partitë tradicionale, ku listat përcaktohen kryesisht nga drejtuesit politikë, kandidatët u propozuan dhe u përzgjodhën përmes asambleve studentore të universiteteve, me diskutime dhe vendimmarrje kolektive.

Studentët zgjodhën të mos kandidonin vetë, por të mbështesnin profesionistë me reputacion, përfshirë profesorë universiteti, mjekë, akademikë, juristë, artistë dhe sipërmarrës, shumë prej tyre me kualifikime të larta akademike dhe pa përfshirje të mëparshme në politikën e nivelit të lartë.

Ishte një vendim i menduar për të zgjeruar mbështetjen përtej mjediseve universitare dhe për të shmangur perceptimin se vendi do të drejtohej nga të rinj pa përvojë profesionale apo institucionale.

Kriteri kryesor ishte integriteti dhe mungesa e lidhjeve me strukturat tradicionale të pushtetit. Kjo përbërje dallonte nga lista e Aleksandar Vuçić, ku krahas profesionistëve përfshiheshin shumë figura të vjetra politike, ish-ministra dhe drejtues të lartë të shtetit.

Paradoksi i fitores së Listës Studentore është se, megjithëse ajo u krijua dhe u udhëhoq nga studentët, asnjëri prej tyre nuk ishte kandidat për deputet.

Në krye të listës u vendos Ilija Srdanović, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad. Ai u bë një nga figurat më të njohura të fushatës, megjithëse nuk konsiderohet domosdoshmërisht kandidati kryesor për postin e kryeministrit.

Duke iu bashkuar studentëve që marshonin drejt Beogradit gjatë javës përpara zgjedhjeve, Srdanović deklaroi për BBC se historia po rishkruhej dhe se energjia e lëvizjes ishte e pandalshme. Ai tha se kandidatët e Listës Studentore synonin t’u rikthenin qytetarëve vlerat themelore të një shoqërie të civilizuar, të cilat, sipas tij, ishin cenuar gjatë qeverisjes së mëparshme.

Mes kandidatëve të Listës Studentore ishin emra të njohur nga sporti, kultura, ekonomia dhe arsimi, përfshirë ish-basketbollistin Dejan Bodiroga, në vendin e 24-të të listës; aktorin Tihomir Stanić, në vendin e tetë; këngëtarin e operës Nikola Mikić, në vendin e 46-të; dhe ish-guvernatorin e Bankës Kombëtare të Serbisë, Dejan Šoškić, në vendin e 27-të. Një pjesë e konsiderueshme e listës përbëhej nga profesorë universitetesh dhe profesionistë të tjerë.

Sipas vlerësimeve të para, të paktën 135 kandidatë të kësaj liste pritej të siguronin mandate parlamentare.

Emri i ish-guvernatorit Šoškić është përmendur si një kandidat i mundshëm për drejtimin e qeverisë. Ai ka paraqitur publikisht ide për reformimin e ekonomisë serbe dhe ka qenë shpesh objekt kritikash nga mediat pranë qeverisë së Vuçiç.

Çfarë synon të ndryshojë Lista Studentore?

Programi i lëvizjes, i strukturuar në 11 pika, e vendos luftën kundër korrupsionit, depolitizimin e institucioneve dhe rikthimin e të drejtave qytetare në qendër të reformave të propozuara.

Një nga objektivat kryesorë është hetimi i korrupsionit dhe krijimi i një njësie të specializuar policore për arrestimin e personave përgjegjës për veprat korruptive.

Programi parashikon gjithashtu një reformim të thellë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të strukturave të sigurisë, duke larguar zyrtarët që kanë shkelur ligjin gjatë ndërhyrjeve kundër protestuesve ose që rezultojnë të lidhur me krimin e organizuar.

Një tjetër prioritet është transformimi i medias serbe, një sektor për të cilin kritikët e Vuçiç kanë ngritur prej vitesh shqetësime lidhur me përqendrimin e ndikimit politik dhe mungesën e pluralizmit.

Lista Studentore premton të çlirojë transmetuesin publik nga kontrolli politik dhe të krijojë kushte më të barabarta për funksionimin e mediave. Reformat përfshijnë edhe ndërmarrjet publike, ku lëvizja kërkon t’i japë fund praktikës së emërimit të drejtuesve mbi bazën e besnikërisë partiake.

Përfaqësuesit studentorë e kanë përshkruar përzgjedhjen e kandidatëve si një përpjekje për të dërguar në institucionet shtetërore njerëz që do të kryejnë detyrat me përgjegjësi dhe nuk do të harrojnë arsyet për të cilat janë zgjedhur.

Vuçiç dhe Partia Progresive Serbe i kanë hedhur poshtë akuzat për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm mbi mediat.

Sfida për lëvizjen do të jetë zbatimi i këtyre premtimeve nga deputetët dhe drejtuesit e rinj, ndërkohë që vetë studentët do të mbeten jashtë parlamentit.

Studentët e kanë përshkruar këtë marrëdhënie si një transferim të përkohshëm të betejës nga rruga në institucionet shtetërore. Sipas tyre, qytetarëve të përzgjedhur si kandidatë u është besuar detyra të vazhdojnë, brenda parlamentit dhe qeverisë, një pjesë të përpjekjes së zhvilluar në rrugë gjatë dy viteve të fundit.

Pikërisht këtu do të testohet edhe qëndrueshmëria e modelit të organizimit të lëvizjes: aftësia për të ruajtur kontrollin qytetar dhe përgjegjshmërinë politike, pa u shndërruar në një parti tradicionale të përqendruar rreth një drejtuesi të vetëm.

Ndryshimi politik në Serbi hap mundësi të reja, por edhe pikëpyetje për perspektivën ekonomike të vendit. Në një analizë të përgatitur për “Monitor” nga gazetarja e pavarur me bazë në Beograd, Ana Milosavljević, Dr. Dmitry Pozhidaev, anëtar i Shoqatës Shkencore të Ekonomistëve të Serbisë dhe konsulent i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Kapitalit (UNCDF), paralajmëron se ndryshimet nuk do të jenë të menjëhershme. “Çdo qeveri do të trashëgojë kontrata, detyrime borxhi, kufizime administrative dhe një strukturë ekonomike që ndryshon ngadalë”, thotë ai për “Monitor”.

Duke qenë se lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet e Listës Studentore, qeveria e re mund të nisë auditimin dhe rinegocimin e kontratave publike, përfshirë projektet e lidhura me EXPO 2027, për të cilat qeveria serbe ka akorduar 2 miliardë euro për infrastrukturën. Në vitin 2025, kompania EXPO 2027 renditej e gjashta për nga fitimi në Serbi.

Lista Studentore synon gjithashtu rikuperimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe përdorimin e tyre për investime në sektorë të tjerë. Megjithatë, Pozhidaev paralajmëron për pasiguritë e këtij procesi, duke theksuar se “përmirësimet e qëndrueshme të shërbimeve kërkojnë të ardhura të sigurta dhe plane realiste shpenzimesh”.

Sipas ekspertit të intervistuar nga “Monitor”, programi për rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit nuk e ndryshon në thelb modelin ekonomik të Serbisë, i cili është mbështetur në tërheqjen e investimeve të huaja përmes kostove konkurruese të punës dhe subvencioneve shtetërore.

“Çështja më e rëndësishme është nëse Serbia do të mbetet tërheqëse për investitorët dhe nëse do të jetë në gjendje t’i shfrytëzojë në mënyrë produktive investimet e mëtejshme”, thotë Pozhidaev. Sipas tij, strategjia e mbështetur te fuqia punëtore e lirë dhe subvencionet ka kufizimet e veta, ndërsa disponueshmëria e punonjësve po pakësohet.

“Tërheqja e aktiviteteve më të sofistikuara kërkon aftësi profesionale, furnizim të qëndrueshëm me energji, infrastrukturë, furnitorë vendas të aftë dhe institucione të parashikueshme”, përfundon ai. Për qeverinë e ardhshme, sfida do të jetë të ruajë interesin e investitorëve, ndërkohë që përpiqet të përmirësojë cilësinë e institucioneve dhe të krijojë kushtet për një model ekonomik më produktiv.

Vuçiç pranoi humbjen, por akuzoi ndërhyrjen e huaj

Megjithëse e njohu fitoren e kundërshtarëve, Vuçiç nuk u pajtuea me rezultatin politik. Gjatë deklaratës për mbështetësit në mbrëmjen e 25 tetorit, ai akuzoi vende europiane dhe atë që e quajti “shteti i thellë amerikan” se kishin mbështetur lëvizjen që e rrëzoi nga pushteti.

Ai e përshkroi rezultatin si legjitimimin e një revolucioni të mbështetur nga aktorë të jashtëm, pa paraqitur prova për këto pretendime. Vuçiç deklaroi se kundërshtarët e tij kishin realizuar një plan të hartuar nga të tjerët për të rrëzuar një vend sovran.

Sipas tij, lëvizja studentore kishte arritur një fitore të përkohshme, por ai paralajmëroi se pasojat e ndryshimit politik do të bëheshin të dukshme më vonë. Ai parashikoi gjithashtu se qeveria e re mund të vendoste sanksione ndaj Rusisë në muajt mars ose prill të vitit të ardhshëm, duke pretenduar se këto masa ishin pjesë e angazhimeve që, sipas tij, kundërshtarët nuk ua kishin bërë të ditura votuesve.

As këto pretendime nuk u shoqëruan me prova.

Gjatë fushatës, Vuçiç i kishte quajtur protestuesit “bllokues”, duke i akuzuar se synonin destabilizimin e Serbisë. Në fillimet e protestave ai kishte mbajtur një qëndrim më të butë, duke i përshkruar disa prej tyre si qytetarë me qëllime të mira.

Pas humbjes, ai deklaroi se studentët i kishin dëmtuar dy vite të jetës së vendit dhe parashikoi se lëvizja e tyre do të dështonte më shpejt sesa priste.

Serbia mes Bashkimit Europian, Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara

Ndryshimi politik në Beograd mund të ndikojë edhe në orientimin ndërkombëtar të Serbisë. Gjatë qeverisjes së tij, Vuçiç ndoqi një politikë balancimi mes Bashkimit Europian, Rusisë dhe Kinës, duke ruajtur procesin e integrimit europian, por pa iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.

Serbia, e cila nisi negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2014, ka ruajtur gjithashtu marrëdhënie të afërta me administratën amerikane të Donald Trump dhe ka forcuar lidhjet me Izraelin. Megjithatë, ligjvënës amerikanë nga të dyja partitë kanë ngritur shqetësime për përkeqësimin e standardeve demokratike dhe zgjerimin e ndikimit rus, kinez dhe iranian në Serbi.

Me ndryshimin e pushtetit, mbetet për t’u parë nëse qeveria e re do të ruajë politikën e balancimit apo do të afrohet më shumë me qëndrimet e Bashkimit Europian. Deri tani, programi i Listës Studentore është përqendruar kryesisht te lufta kundër korrupsionit dhe reformat institucionale, pa përcaktuar qartë orientimin e ardhshëm të politikës së jashtme.

Nga protestat në qeverisje, sfida e re e Serbisë

Fitorja e lëvizjes studentore përfundon një periudhë të gjatë dominimi politik të një partie që kishte kontrolluar pushtetin për 14 vjet, por nuk përcakton ende se si do të funksionojë sistemi i ri qeverisës.

Për studentët, që për gati dy vjet organizuan bllokada, marshime dhe protesta, zgjedhjet përfaqësonin kalimin nga kërkesa për përgjegjësi institucionale te mundësia për të ndryshuar vetë institucionet.

Ndërsa ishin në gjendje të bashkonin pjesë të ndryshme të shoqërisë kundër një qeverisjeje të përbashkët, kandidatët e tyre tani do të duhet të marrin vendime mbi buxhetin, kontratat publike, investimet, administratën, politikat sociale dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Kjo përbën një sfidë të ndryshme nga organizimi i protestave.

Një ndër elementet që i dha forcë lëvizjes ishte mungesa e një udhëheqësi të vetëm dhe vendimmarrja kolektive. Në qeverisje, megjithatë, kjo strukturë do të duhet të bashkëjetojë me përgjegjësitë kushtetuese të kryeministrit, ministrave dhe shumicës parlamentare.

Fakti që studentët nuk kandiduan vetë krijon edhe një marrëdhënie të pazakontë midis lëvizjes që siguroi mbështetjen popullore dhe përfaqësuesve që do të marrin përgjegjësinë institucionale. Studentët do të mbeten nën presion për të garantuar zbatimin e programit që u premtuan qytetarëve, por pa pasur mandate të drejtpërdrejta në parlament.

Një pjesë e rëndësishme e këtij procesi do të lidhet me transparencën e vendimmarrjes dhe aftësinë për të ruajtur mbështetjen e gjerë shoqërore që solli fitoren.

Ndërkohë, opozita e re, e përfaqësuar kryesisht nga SNS-ja e Vuçiç, mbetet një forcë e rëndësishme politike me një bazë të konsiderueshme votuesish. Rezultatet paraprake tregojnë se, pavarësisht humbjes, lista e Vuçiç ka marrë mbështetjen e rreth katër në dhjetë votuesve pjesëmarrës.

Për drejtuesit e rinj, një nga provat e para do të jetë aftësia për të realizuar reforma pa thelluar ndarjet politike dhe duke respektuar procedurat ligjore e institucionale.

Në ekonomi, sfidat janë gjithashtu të konsiderueshme. Qeveria e re do të trashëgojë një vend me investime të rëndësishme të huaja, infrastrukturë më të zhvilluar dhe nivel papunësie dukshëm më të ulët se një dekadë më parë, por edhe me probleme të lidhura me transparencën, cilësinë e institucioneve, varësinë nga subvencionet dhe mungesën në rritje të fuqisë punëtore.

Në analizën e “Monitor”, Dr. Dmitry Pozhidaev e vendos çështjen e zhvillimit ekonomik pikërisht te aftësia e Serbisë për t’u zhvendosur drejt aktiviteteve më produktive, me punonjës më të kualifikuar dhe institucione më të parashikueshme.

Për lëvizjen studentore, sfida nuk është më vetëm të kërkojë ndryshim, por të sigurojë që përfaqësuesit e saj të ndërtojnë një model qeverisjeje në përputhje me premtimet e bëra gjatë protestave.

Vetë studentët kanë deklaruar se personat e përzgjedhur për të hyrë në parlament janë ngarkuar me përgjegjësinë për të vazhduar brenda institucioneve betejën që ata nisën në rrugë pas tragjedisë së Novi Sadit.

Më 25 tetor, kjo lëvizje arriti të mposhtë politikisht Aleksandar Vuçiç. Më 26 tetor, me rezultatin ende në proces konfirmimi përfundimtar dhe me krijimin e qeverisë së re përpara, ajo përballet me një detyrë tjetër: shndërrimin e një lëvizjeje proteste në një sistem funksional qeverisjeje.

 

Marrë nga Reuters

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Si Macron e ktheu Francën në një shtet të paqeverisshëm

Gratë fitojnë, por mandatet u kalojnë burrave

Si sorollaten qytetarët për të përfituar KEMP-in

Kallëzim në SPAK për dhunën policore, kërkohet hetimi i Ramës

Ushqime të shtrenjta, bizneset ulën çmimet nga presioni i qeverisë

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm Stern: Opozita paralajmëron rezistencë ‘dhëmb për dhëmb’ ndaj masave të Edi Ramës
Artikulli tjetër Studentët dhe pedagogët protestojnë sot në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Policët kërcënohen me masa disiplinore/ Nuk dhanë informacion për organizatorët dhe financuesit e protestave
Aktuale Analize Fokus Kryesore Opinion Sociale 26 Tetor, 2026
4 mënyrat si mund të përfitohet banesë e përballueshme nga shteti
Analize Ekonomi Kryesore Sociale Zhvillim 26 Tetor, 2026
“Evolve Tower”, çibani 21-katësh që po mbyt një lagje të tërë tek Rruga e Elbasanit
Analize Ekonomi Kryesore Sociale Zhvillim 26 Tetor, 2026
Nga një dron për çdo fermer
Analize Ekonomi HI-Tech Sociale Zhvillim 26 Tetor, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.