Pjesëmarrja e izraelitëve në qendrat e votimit mësohet se ka qenë goxha e lartë, mirëpo pavarësisht kësaj deri në këto momente nuk shikohet asnjë fitues konkret. Megjithatë, mediat e huaja shkruajnë se “Bibi” ka arritur të prevalojë përballë opozitës, duke siguruar më shumë vota.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia Likud i Netanyahut, sipas projeksionit të deritanishëm kur janë numëruar 57% të votave, kryeson me 55 vende në Parlament, kundrejt 49 vendeve të palës opozitare.
Pjesëmarrja e votuesve ditën e djeshme, sipas Komitetit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë më e larta në vitet e fundit, pasi bëhet me dije se numri i votuesve ishte 77.7% kur qendrat e votimit u mbyllën në orën 22:00 sipas orës lokale që ishte më e larta në atë orë që nga viti 1999.
Rezultatet zyrtare do të fillojnë të publikohen në vijim, por rreth 600,000 fletëvotime në mungesë të hedhura kryesisht nga personeli ushtarak, që përbëjnë rreth 10% e numrit të përgjithshëm të votave, nuk do të numërohen plotësisht deri të enjten.
Pasi të konfirmohen rezultatet përfundimtare dhe pas konsultimeve me të gjitha fraksionet politike, presidenti i Izraelit do të ftojë udhëheqësin e partisë që ai beson se ka shanset më të mira për sukses, për të formuar qeverinë e re, një proces ky që mund të zgjasë me javë.
Nëse kjo procedurë dështon për shkak të votave thuajse të njëjta, raportohet se do të mbahen zgjedhje të reja. Numërimi përfundimtar i votave pritet të dalë të premten, dhe rezultatet zyrtare të zgjedhjeve publikohen zyrtarisht një javë pas zgjedhjeve, më 4 nëntor.
Në lidhje me zgjedhjet në Izrael ka reaguar dhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili herët në mëngjesin e sotëm tha se se ende nuk kishte folur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por ishte optimist për performancën e tij.
“Po dëgjoj se ai ia doli shumë mirë dhe është shumë afër fitores”, tha ai, duke folur me gazetarët në Bazën e Përbashkët Andreës në Maryland.
Para një jave nga hapja e qendrave të votimit në Izrael, Trump e cilësoi Netanyahun një “Kryeministër Luftëtar të Madh”, ndërsa shprehu haptazi mbështetjen ndaj tij.
Ndonëse votat deri më tani tregojnë një garë të ethshme mes kandidatëve në Izrael, Trump u shpreh se sondazhet e daljes mund të jenë të gabuara.
“Ai mund të jetë duke fituar, ose mund të jetë i barabartë. Është pak herët, por po dëgjoj se në Izrael, njerëzit e lartë po thonë: ‘Uau’, ai bëri shumë më mirë sesa mendonin njerëzit. Rezultati përfundimtar mund të jetë “një bllokim ose një fitore – por do ta zbulojmë.”, shkroi Trump në një postim të bërë në Truth Social.
Marrë nga Associated Prfess