Kolektivi Feminist në Shqipëri zhvilloi sot një aksion simbolik para Ambasadës së Kosovës në Tiranë, në shenjë proteste për vrasjen e Arlinda Sylaj Zekajt në Pejë. 49-vjeçarja kishte denoncuar dhunën dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm pak ditë para se të vritej.
Aksioni u organizua në solidaritet me protestën kundër femicidit, të thirrur sot në Prishtinë në orën 16:00.
Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Prej vitesh, Zekaj kishte denoncuar dhunën e ushtruar nga ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, ndaj të cilit Prokuroria ngriti aktakuzë për kanosje vetëm dy ditë para vrasjes.
Aktivistet kërkuan përgjegjësi institucionale për mënyrën se si u trajtua rasti i saj, duke e cilësuar vrasjen si pasojë të dështimit të mekanizmave shtetërorë për mbrojtjen e grave nga dhuna.
“Nëse shteti nuk mund t’i mbrojë gratë, atëherë gratë duhet ta shkundin shtetin deri në themel”, tha aktivistja Jeta Kaçka.
Kaçka solli në vëmendje letrën që Zekaj i kishte dorëzuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.
“Tre ditë para se të vritej në shtëpinë e saj, Arlinda Zekaj i dorëzoi shtetit një hartë të vdekjes së saj. Ajo iu përgjërua prokurorëve në Pejë të zbatonin urdhrin e saj mbrojtës, duke i paralajmëruar: “Uroj të mos vijë dita që të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të më jetë marrë jeta”, tha Kaçka.
Sipas saj, institucionet nuk iu përgjigjën këtij paralajmërimi.
“Në vend të kësaj, shteti i ktheu shpinën dhe e la sëpatën të binte. Ne nuk jemi këtu për të mbajtur gëzim e mirësjellje. Jemi këtu me një tërbim që do t’i tundë themelet e shtetit. Kjo nuk ishte një tragjedi private. Vrasja e Arlindës është një atentat politik me autor një burokraci patriarkale dhe e nënshkruar me gjak”, u shpreh Kaçka.
Deni Sanxhaku, aktiviste e Kolektivit Feminist në Shqipëri, tha se gratë nuk janë të sigurta në asnjë moshë dhe solli në vëmendje rastet e fundit të femicidit në Shqipëri.
“Burrat i vrasin në çdo moshë, nga 13-vjeçarja Aurora Tila deri te 80-vjeçarja Liza Dushi. Burrat që i vrasin janë bashkëshortët, të dashurit, vëllezërit, bijtë e tyre, janë kunetërit”, tha Sanxhaku.
Sipas saj, patriarkati nuk është një koncept abstrakt, por shfaqet në marrëdhëniet e përditshme, në pabarazinë e grave dhe në mënyrën se si justifikohet dhuna ndaj tyre.
“Një burrë që e sheh këtë grua si plaçkën e vet, si të mirën e vet materiale, dhe ia njeh vetes të drejtën me ia marrë jetën në çdo kohë, sepse e konsideron si të vetën. Ky është patriarkati dhe kjo është ajo kundër së cilës jemi ne sot”, tha Sanxhaku.
Ajo shtoi se patriarkati është edhe mohimi i të drejtave të barabarta për gratë në aksesin në shëndetësi, trashëgimi dhe të mira publike.
“I jep të drejtë atyre komenteve që bëhen në rastet e femicideve, të cilat, në vend që t’i denoncojnë, merren me atë se ç’kishte veshur viktima, se ç’kishte bërë, «po jo se ajo e ka merituar», «po jo se viktima është kurvë»”, shtoi Sanxhaku.
Arlinda paralajmëroi vrasjen e saj
Arlinda Sylaj Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen, u arrestua më 28 tetor në Deçan, pas disa ditësh në kërkim.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, veçanërisht për shkak të denoncimeve të mëparshme të Zekajt dhe paralajmërimeve që ajo u kishte bërë institucioneve.
Më 16 tetor, Gjykata Themelore e Pejës lëshoi një urdhër mbrojtjeje urgjent gjashtëmujor ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylajt, duke i ndaluar atij kërcënimet, shqetësimin dhe afrimin ndaj saj. Vendimi i jepte gjithashtu Zekajt të drejtën të përdorte shtëpinë e përbashkët.
Më 22 tetor, Zekaj i drejtoi një letër të shënuar si urgjente kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj. Në të kërkonte marrjen e masave ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave dhe në zbatimin e vendimit gjyqësor, si dhe hetimin e përgjegjësve, përfshirë zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale.
Letrën e mbylli me fjalët: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”
Sipas mediave të Kosovës, Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se e pranoi parashtresën më 22 tetor dhe se ajo u regjistrua për trajtim nga prokurori kompetent, për të vlerësuar nëse kishte përgjegjësi penale për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Më 23 tetor, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për kanosje në marrëdhënie familjare. Po atë ditë, një zyrtar policor kërkoi që për Zekajn të shtoheshin masat e sigurisë dhe që patrullat ta vizitonin çdo ditë në shtëpi.
Më 25 tetor, Zekaj e denoncoi sërish në polici ish-bashkëshortin, duke pretenduar se e kishte kërcënuar. Ai u ndalua për 48 orë. Zekaj refuzoi të shkonte në strehimore dhe kërkoi të kthehej në shtëpinë e saj. Ajo deklaroi se nuk ndihej mjaftueshëm e sigurt, por nuk donte të hiqte dorë nga djali dhe pasuria e saj.
Po atë ditë, policia e shoqëroi në banesë. Rreth orës 21:10, policia u njoftua se 49-vjeçarja ishte gjetur pa shenja jete. Sipas autoriteteve, ajo dyshohet se u vra me një mjet të fortë nga ish-kunati, Albert Sylaj, ndërsa ish-bashkëshorti i saj ndodhej në ndalim.
Vrasja ka ngritur pikëpyetje mbi veprimet dhe mosveprimet e institucioneve, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë ku dështuan mekanizmat e mbrojtjes së saj.
Marrë nga Citizens.al