KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Kur zemërimi nuk mjafton: anatomia psikologjike e dy revoltave ballkanike
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > Kur zemërimi nuk mjafton: anatomia psikologjike e dy revoltave ballkanike
AnalizeFokusOpinionSocialeZhvillim

Kur zemërimi nuk mjafton: anatomia psikologjike e dy revoltave ballkanike

Përditësimi i fundit: 2 Nëntor, 2026 2:50 pm
32 Shikime
Share
28 Min. Leximi
SHARE

Nga Ledion Musaj

 

Natën e 25 tetorit 2026, në Beograd, Aleksandar Vuçiç pranoi humbjen përpara një partie politike, e cila erdhi si nje lëvizje e lindur në amfiteatrot e universiteteve. Një natë më parë, në Tiranë, policia përdori autobotë me ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome kundër studentëve dhe qytetarëve që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit.

Krahasimi bëhet shpejt, dhe po aq shpejt nxirret përfundimi i gabuar: serbët qenkan më të guximshëm, shqiptarët më të nënshtruar. Ky shpjegim nuk qëndron. Guximi nuk mungon në rrugët e Tiranës. Ajo që mungon është diçka më e qetë dhe më e vështirë: aftësia për ta kthyer zemërimin në veprim kolektiv të qëndrueshëm.

Psikologjia sociale e njeh mirë këtë proces. Veprimi kolektiv nuk lind nga vetëm nga zemërimi, por kalon nëpër një zinxhir hallkash: një padrejtësi që trondit shoqërinë, besimi se veprimi i përbashkët mund të shpierë në fitore, një identitet që i bashkon njerëzit përtej ndarjeve dhe një strukturë që e kthen turmën në subjekt. Kur një hallkë këputet, energjia shpërndahet.

Serbia arriti t’i kishte të katërta hallkat, ndërsa Shqipëria ka vetëm të parën, dhe edhe ajo është e dobësuar. Kështu, qëllimi në thelb nuk duhet të jetë rrëzimi i një qeverie. Kjo sepse, mbase, qeveria e ardhshme, mund të mëshirojë sërish të njëjtat vlera si qeveria e mëparshme. Qëllimi është të kuptohet çfarë i duhet shoqërisë shqiptare për t’u bërë demokratikisht e pjekur, pra e aftë ta mbajë nën kontroll këdo që qeveris.

Dy regjime, një diagnozë

Përpara psikologjisë, duhet eleminuar një iluzion tjetër: se dallimi mes Serbisë dhe Shqipërisë qëndron te regjimet. Raporti i Demokracisë 2026 i Institutit V-Dem e mban Serbinë në kategorinë e autokracisë elektorale që nga viti 2014 dhe e vendos edhe Shqipërinë në të njëjtën kategori, si rast kufitar. Rrjedhimisht, diagnoza institucionale është e ngjashme.

Për Shqipërinë, provat janë konkrete. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit 2025 i quan ato konkurruese dhe të administruara profesionalisht, por pa një fushë loje të barabartë: me frikësim, keqpërdorim të burimeve publike, presion mbi punonjësit e administratës dhe raste blerjeje votash. Po ashtu, shumë rekomandime ne zgjedhjet e mëparshme, mbetën të pazbatuara.

Fituesit e Çmimit Nobel në vitin 2024, Daron Acemoglu dhe James Robinson, në librin e tyre Korridori i Ngushtë, do ta quanin këtë model një “Leviatan prej letre”: një shtet despotik ndaj qytetarit, por i dobët në shërbime, që e ndan shoqërinë përmes patronazhimit dhe e lë individin të varur në zgjidhjen e problemeve te pasja apo jo e lidhjeve personale. Sipas tyre, liria nuk e ka burimin te një shteti i mirë, por te një shoqëri mjaftueshëm e fortë për ta mbajtur shtetin në kontroll.

Pra, pyetja kryesore nuk është çfarë bën pushteti. Pyetja e vërtetë është çfarë nuk arrin të bëjë shoqëria. Nga këtu nis gjithçka:

Hallka e parë: padrejtësia që trondit, jo ajo që lodh

Shqipërisë nuk i mungon padrejtësia. I mungon padrejtësia që trondit. Jasper dhe Poulsen e quajtën “goditje morale” një ngjarje ose informacion të papritur që ngjall aq zemërim, sa e shtyn një njeri drejt një veprimi politik, edhe në ato raste kur ky njeri nuk ka pasur lidhje të mëparshme me aktivizmin politik. Fjala kyçe në këtë rast është “e papritur”. Kur streha e stacionit të rindërtuar të Novi Sadit u shemb dhe vrau 16 njerëz, korrupsioni në Serbi mori trajtë fizike: kishte trupa, emra dhe përgjegjësi të dukshme.

Në Shqipëri, korrupsioni ka humbur aftësinë për të befasuar. Ashforth dhe Anand përshkruan mekanizmin e normalizimit të korrupsionit: ai futet në rutinat e institucioneve, justifikohet me racionalizime dhe u mësohet të gjithë personave që punojnë aty si mënyrë “normale” pune. Kur diçka është normale, zbulimi i saj nuk është lajm; është konfirmim.

Kjo ka pasoja të matshme. Në një eksperiment në terren në Meksikë, informacioni për korrupsionin e pushtetit uli mbështetjen për partinë në pushtet, por uli edhe pjesëmarrjen në votime dhe mbështetjen për kandidatët kundërshtarë të qeverisë. Kjo do të thotë që një informacioni i tillë, në fakt mund ta shuajë shpresën, në vend që ta ndezë revoltën.

Paradoksi i SPAK

Shqipëria ka një institucion që Serbia nuk e kishte: prokurorinë e posaçme SPAK, që ka hetuar figura të larta të të dy kampeve kryesore politike. Është arritje reale institucionale, e megjithatë, efekti i saj psikologjik mbi votuesit ka qenë pothuajse zero.

Kur kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, i parë gjerësisht si pasardhës i mundshëm i Ramës, u arrestua në shkurt 2025, shumëkush priste një tërmet politik. Tre muaj më vonë, Partia Socialiste i rriti mandatet nga 74 në 83. Në mars 2026, shumica parlamentare refuzoi heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Arsyeja është psikologjike. Hetimet godasin të dy kampet, ndaj secili e quan rastin e vet persekutim dhe rastin e tjetrit drejtësi, e rrjedhimisht, bindja në publik se “të gjithë janë njësoj” përforcohet. Pushteti, nga ana e tij, e kthen çdo arrestim në provë se po e lufton korrupsionin si kurrë më parë.

Persson, Rothstein dhe Teorell shpjegojnë pse ne një republikë, ka shume raste kur prokurorët nuk mjaftojnë: kur korrupsioni është sistemik, ai nuk është problem i disa individëve të këqij, por problem veprimi kolektiv. Askush nuk heq dorë i pari nga korrupsioni, sepse pret që të tjerët të mos heqin dorë. Për më tepër, korrupsioni shpesh zgjidh probleme reale të përditshme, gjë që e bën edhe më të vështirë ta braktisësh atë.

Vlerat që nuk shiten

E ashtëquajtura “goditja morale” ka edhe një efekt tjetër: krijon ato që cilësohen si “vlera të shenjta”. Philip Tetlock i përshkruan vlerat e shenjta si vlera që një shoqëri i trajton si të pashitshme dhe të panegociueshme; vetë ideja e shitjes së tyre ngjall zemërim moral. Ginges, Atran treguan se kur ofrohen stimuj materialë për të lëshuar pe ndaj një vlere të shenjtë, kundërshtimi rritet në vend që të bjerë. Duke e konkretizuar këtë, në Serbi, llogaridhënia për të vdekurit e Novi Sadit nuk mund të blihej dhe negociohej nga shoqëria.

Ndërkohë nga ana tjetër, kërkesat e shqiptarëve për skandalet korruptive, koston e jetesës, apo resortet në bregdet janë të ligjshme, por të negociueshme, prandaj mund të fiken me lëshime. Ky është një mjet i provuar: në vitin 2017, kriza politike u zbut kur opozitës iu dhanë posti i zëvendëskryeministrit dhe gjashtë ministri, pa asnjë ndryshim strukturor.

Hallka e dytë: besimi se mund të fitosh

Zemërimi i nxjerr njerëzit në rrugë. Besimi se mund të fitojnë i mban atje.

Ky është modeli i njohur si modeli i identitetit social të veprimit kolektiv. Veprimi kolektiv parashikohet nga tre faktorë: perceptimi i padrejtësisë, efikasiteti (besimi se veprimi i përbashkët mund të ndryshojë diçka), dhe identiteti i përbashkët.

Shoqëria serbe, ndryshe nga ajo shqiptare, e trashëgon efikasitetin. Brezi i prindërve aktualë ka përjetuar protestat e dimrit 1996-97 dhe rënien e Millosheviçit më 2000. Për ta, rruga dhe protesta ishte dhe është vendi ku fitohet.

Kujtesa shqiptare e protestës, revoltës, dhe rrugës është ndryshe. Në kulmin e tyre, skemat piramidale të viteve 1996-97 kishin detyrime ndaj shqiptarëve që kishin depozituar kursimet e tyre aty, sa gati gjysma e prodhimit të brendshëm bruto, dhe shembja e tyre e çoi vendin në anarki, me rreth 2 mijë të vrarë. Për një brez të tërë, turma në rrugë dhe revolta nuk lidhet me fitoren, por me kaosin.

Kjo ka rëndësi për të kuptuar dhunën aktuale në Shqipëri. Në një studim, autorët gjetën se efikasiteti i ulët lidhet me veprimin jonormativ, përfshirë dhunën, ndërsa efikasiteti i lartë lidhet me protestën paqësore. Zemërimi shtyn drejt veprimit normativ; përçmimi, që nënkupton distancim dhe mungesë dëshire për pajtim, shtyn drejt radikalizmit.

Molotovët në Tiranë, nuk janë “huliganizëm”, siç pretendon qeveria, as “heroizëm”, siç i romantizojnë disa. Janë simptoma e një shoqërie që nuk beson se veprimi paqësor funksionon.

Muñoz dhe Anduiza, duke studiuar një trazirë të papritur në Barcelonë, gjetën se mbështetja për lëvizjen ra mesatarisht me rreth 12%, sidomos te qytetarët e paangazhuar. Chenoweth dhe Stephan treguan se protestat jo të dhunshme kanë pasur historikisht rreth dy herë më shumë sukses se ato të dhunshmet. Për pasojë, dhuna lind nga mungesa e efikasitetit (besimi se mund të ndryshojë diçka) dhe pastaj e thellon akoma më tepër këtë besim.

Arbitri i jashtëm

Ka edhe një burim tjetër të efikasitetit (besimit se veprimi i përbashkët mund të ndryshojë diçka). Psikologjia e quan atë vendndodhje të jashtme të kontrollit: bindjen se rezultatet varen nga forca jashtë nesh.

Shqiptarët janë ndër shoqëritë më pro-europianë të kontinentit: 91% e tyre mbështesin anëtarësimin në BE, kundrejt 33% të serbëve. Entuziazmi është i kuptueshëm, por ka një anë të errët. Kur arbitri i demokracisë vendoset në Bruksel ose Uashington, shoqëria pret që dikush prej tyre të gjykojë, të ndëshkojë dhe të korrigjojë demokracinë shqiptare dhe kryeministrin.

Pushteti e kupton mirë këtë. Kryeministri Rama i paraqet trazirat aktuale si rrezik për rrugën europiane dhe flet për “duar të huaja” pas protestave. Në një shoqëri që e sheh BE-në si shtëpinë e ardhshme, ky argument peshon në anën tjetër të shoqërisë.

Studentët serbë nuk e kishin këtë çështje në diskutim. Ata ishin të kujdesshëm me ambiciet ndërkombëtare dhe tubimet e tyre ishin plot me flamuj kombëtarë, gjë që e zbehu akuzën se ishin agjentë të huaj. Mosbesimi ndaj Perëndimit i detyroi të mbështeteshin vetëm te vetja. Ky nuk është argument kundër BE-së; është argument kundër delegimit të demokracisë te të tjerët.

Hallka e tretë: nga “ne” partiakë te “ne” qytetarë

Identiteti i përbashkët është hallka ku Shqipëria vuan më tepër.

Polarizimi shqiptar nuk është kryesisht ideologjik. Iyengar, Sood dhe Lelkes e quajtën këtë dukuri polarizim afektiv: partitë politike dhe mbeshtetësit e tyre nuk ndahen shumë nga idetë, por me tepër nga antipatia ndaj kampit tjetër. Në një mjedis të tillë, çdo protestë lexohet menjëherë si “kushedi e kujt është”, dhe jo si “kushedi për çfarë është”.

Dallimi u pa qysh në fillim. Ndërsa protestat serbe udhëhiqeshin nga studentët, të pavarura nga partitë, ato shqiptare mbështeteshin nga opozita (Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë, Lëvizja Shqipëria Behët, por disi edhe nga anëtarë të Partisë Demokratike). Edhe sot, kur mbështetës të opozitës dhe studentë mobilizohen bashkë, qytetari që nuk do të zgjedhë mes dy kampeve qëndron në shtëpi dhe nuk zgjedh të përfshihet.

Kjo shpjegon edhe paradoksin e forcave të reja. Shumica ankohen për dy partitë e mëdha, por në zgjedhjet e 2025-s Mundësia mori dy mandate, Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet nga një, dhe këto vetëm në Tiranë. Mosbesimi ndaj të rinjve nuk është iracional. Ai ushqehet nga pesë mekanizma të njohur.

(1) Fakti që s’janë të korruptuar vjen sepse s’kane pasur mundësi të korruptohen. “Të rinjtë” e 1991-shit dhe të 2013-s janë dy brezat që kanë dominuar politikën shqiptare që atëherë. Nga kjo përvojë, mungesa e korrupsionit e politikanëve të rinj aktual (Shehaj, Qori, Lapaj, etj.) lexohet si mungesë mundësie për t’u korruptuar, jo si integritet.

(2) Neveria ndaj tradhtisë. Bohnet dhe kolegët treguan, në eksperimente në gjashtë vende, se njerëzit pranojnë të rrezikojnë më pak kur rezultati varet nga një njeri tjetër sesa kur varet nga zgjedhjet e tyre. Të tradhtohesh nga dikush të cilit i ke besuar dhemb më shumë, sesa një humbje nga dikush që e dije se ishte i korruptuar, dhe vota për një forcë të re pengohet pikërisht nga një akt i tillë mosbesimi.

(3) Justifikimi i sistemit. Sipas Jost, Banaji dhe Nosek, njerëzit, përfshirë ata që dëmtohen nga sistemi, kanë një motiv psikologjik ta shohin rendin ekzistues si legjitim . Për qytetarin që varet nga shteti për një vend pune ose një nder, bindja se “të gjithë janë njësoj” ka një funksion të qartë: heq sikletin moral të tolerimit të pushtetit. Presioni mbi punonjësit e administratës publike, i dokumentuar nga ODIHR, e bën këtë varësi shumë konkrete.

(4) Preferencat e fshehura. Timur Kuran shpjegoi befasinë e revolucioneve të 1989-s: nën presion, njerëzit fshehin preferencat private, prandaj regjimet duken të qëndrueshme deri në çastin kur një shkak i vogël zbulon pakënaqësinë e fshehur. Shumë shqiptarë mund të preferojnë privatisht një alternativë, por supozojnë se të tjerët nuk do ta votojnë e për pasojë do jetë një votë e çuar dëm. Rrjedhimisht, shumë pak e votojnë, e kështu kjo parti e re mbetet me rezultat të dobët, ç’ka konfirmon dhe supozimin e hershëm të këtyre personave.

(5) Besimi vertikal. Robert Putnam, në studimin e tij klasik mbi rajonet italiane, dalloi rrjetet horizontale të angazhimit qytetar nga rrjetet vertikale padron-klient. Të parat ndërtojnë besim dhe bashkëpunim; të dytat jo. Në një sistem vertikal si ai shqiptar, pyetja e parë për çdo lëvizje të re është kush qëndron pas saj. Forcat e reja kanë reputacion të pastër, por pa marrëdhënie të forta në bazë; partitë e vjetra kanë reputacion të njollosur, por marrëdhënie të dendura në bazën qytetare. Prandaj të rinjtë votohen me tepër në zonat urbane, ku peshon reputacioni, dhe humbin në zonat rurale, ku vendosin lidhjet.

Hallka e katërt: nga turma te struktura

Hallka e fundit është më pak e dukshme dhe ndoshta më vendimtarja. Të dyja lëvizjet, si në Serbi dhe në Shqipëri janë “pa udhëheqës”, por kjo fjalë fsheh një dallim thelbësor.

Lëvizja serbe nuk kishte udhëheqës, por kishte strukturë tepër të fortë. Fakultetet e bllokuara vendosnin përmes pleniumeve dhe asambleve që ishin pasqyrime të demokracisë direkte, që qëllimisht pengonin lindjen e figurave udhëheqëse. Më pas, studentët ftuan qytetarët të krijonin “zborovi”, asamble qytetare të parashikuara nga ligji. Pleniumet u bënë laboratorë të gjallë demokracie, ku votonin kërkesat e lëvizjes, vendosnin lidhur me taktikat politike dhe ruanin një linjë të caktuar veprimi politik.

Kjo strukturë e mbrojti lëvizjen në Serbi nga armët e zakonshme të pushtetit. Nuk kishte një figurë për të arrestuar, korruptuar ose diskredituar, dhe nuk kishte një fytyrë për ta paraqitur si projekt të dikujt. Kur Vuçiç shpalli zgjedhje të parakohshme, lëvizja kishte gati edhe një mjet zgjedhor: pas rreth 400 mijë firmave, Lista Studentore doli si listë akademikësh dhe profesionistësh të përzgjedhur nga pleniumet, ku qëllimi ishte: asnjë emër nuk duhej t’i eklipsonte të tjerët.

Në Shqipëri, disa analistë flasin për një revoltë horizontale të nxitur nga rrjetet sociale. Zeynep Tufekci e ka përshkruar mirë këtë model në Twitter and Tear Gas: rrjetet sociale lejojnë mobilizim të shpejtë pa punën e ngadaltë organizative që i mëson lëvizjet të vendosin së bashku. Kur përplasen me një mur, këto lëvizje pa një strukturë organizative të brendshme, nuk dinë të ndryshojnë taktikë dhe përsërisin të njëjtën përplasje. Për pasojë, kjo mungesë e një strukturë të brendshme është faktor shume penalizues, pasi nuk orienton dot politikisht veprimet e lëvizjes.

Jo Freeman e kishte paralajmëruar këtë që në vitin 1972, në esenë “The Tyranny of Structurelessness”. Grupet pa strukturë formale, si lëvizja në Shqiperi, nuk mund të marrin vendime detyruese ndaj qeverisë apo shtetit. Grupi që refuzon të zgjedhë përfaqësues nuk mbetet pa përfaqësues: iua lë të tjerëve zgjedhjen.

Pasojat janë tre kurthe që i shfrytëzon qeveria:

Askush nuk mund të negociojë. Kur qeveria vendosi karrige jashtë kryeministrisë si shenjë dialogu, kjo ofertë në fakt është kurth: nëse nuk ulet askush, qeveria duket e hapur dhe demokratike, e hapur për dialog, por pala tjetër po e refuzon për kryeneçësi; nëse ulet dikush, dyshohet menjëherë si i shitur nga ata që mbështesin lëvizjen.

Askush nuk kontrollon taktikat. Pa një organ që vendos dhe e zbaton vendime, orientimin dhe veprimet e lëvizjes e përcaktojnë personat më të revoltuar, të cilat jane dhe ata më radikalët.

Askush nuk mund të thotë “ata nuk janë ne”. Çdokush mund ta përvetësojë lëvizjen, nga militantët partiakë te provokatorët.

Frika e shoqërisë shqiptare nga udhëheqësit nuk është naivitet. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 zgjodhi përfaqësues dhe u përthith shpejt duke krijuar një parti të re. Kjo kujtesë, bashkë me pyetjen e përhershme “kush qëndron pas tyre?”, e bën anonimitetin të duket si e vetmja zgjidhje e sigurt. Por zgjidhja nuk është një udhëheqës. Zgjidhja është struktura, njësoj si në Serbi, sepse kur njerëzit nuk u besojnë personave, legjitimiteti duhet të vijë nga rregullat e përbashkëta.

Filtri i heshtur: koha, brezat dhe dera për të dalë

Mbi të katërta hallkat vepron një filtër i padukshëm: mënyra si brezat e masin të tashmen.

Teoria e perspektivës tregon se njerëzit nuk i vlerësojnë rezultatet në vetvete, por në raport me një pikë referimi. Kur ndihen që janë pranë fitores, bëhen më të kujdesshëm; kur ndihen që janë pranë humbjes, bëhen të gatshëm të rrezikojnë.

Shumë serbë e masin të tashmen me normalitetin dhe statusin e epokës jugosllave, prandaj e përjetojnë si humbje. Kjo ndihmon të shpjegohet pse lëvizja e tyre përfshiu jo vetëm studentë, por edhe profesorë, mjekë dhe punëtorë. Për shqiptarët mbi 45 vjeç, pika e referimit sot është uria dhe izolimi i regjimit komunist. Krahasuar me atë, Shqipëria e sotme, me gjithë plagët, duket si një arritje që duhet mbrojtur.

Vetëm të rinjtë, që e krahasojnë vendin e tyre me standardet e Europës Perëndimore, ndodhen në zonën e humbjes. Dhe pikërisht ata janë organizatorët kryesorë të protestave.

Këto pika referimi nuk ndryshojnë lehtë. Krosnick dhe Alwin gjetën se qëndrimet politike janë më të ndryshueshme në rininë e hershme dhe stabilizohen më pas. Bota që njeriu njeh në vitet e formimit bëhet standardi me të cilin mat gjithçka.

Demografia e fuqizon këtë efekt. Sipas Censit 2023, popullsia shqiptare ra me rreth 420 mijë banorë në 2.4 milionë, mosha mesatare u rrit nga 35.3 në 42.5 vjeç, dhe pesha e të moshuarve mbi 65 vjeç u rrit nga rreth 11% në rreth 20%.

Albert Hirschman e përshkroi mekanizmin përfundimtar në Exit, Voice, and Loyalty: kur largimi është masiv, zëri i shoqërisë dobësohet, sepse ikin pikërisht ata që do ta ngrinin zërin më fort. Në Barometrin Ballkanik 2023, 49% e shqiptarëve thoshin se do të donin të jetonin jashtë, kundër 41% të serbëve, dhe Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku ata që donin të iknin ishin më shumë se ata që donin të rrinin.

Çfarë duhet të ndryshojë: pjekuria si aftësi kolektive

Pjekuria demokratike nuk varet nga ai që qeveris, por nga sa mirë shoqëria arrin ta mbajë nën kontroll këdo që vjen në pushtet. Nëse problemi është një zinxhir i këputur, zgjidhja është ta lidhim sërish, hallkë pas hallke.

E para, lëvizja duhet të mbështetet te parimet, jo vetëm te kërkesat. Një rritje buxheti ose një ulje tarife mund të jepet sot dhe të harrohet nesër. Barazia para ligjit, ndarja e partisë nga shteti dhe dinjiteti në arsim nuk blihen me asnjë lëshim. Edhe korrupsioni nuk ndryshon kur të gjithë presin që ta nisë dikush tjetër. Ndryshon vetëm kur shumë njerëz refuzojnë hapur ta pranojnë korrupsionin si diçka normale, qoftë në një zyrë, në spital apo në universitet.

E dyta, njerëzit duhet të besojnë se veprimi paqësor jep fryte. Ky besim nuk lind nga fjalimet, por nga fitoret e vogla: një buxhet arsimi i publikuar, një kontroll sigurie në shkolla, një premtim i mbajtur. Çdo fitore e tillë e zbeh tundimin e dhunës. Mosdhuna duhet të jetë rregull i zbatuar, jo slogan. Kjo do të thotë njerëz që ruajnë rendin në protestë dhe distancim i menjëhershëm nga kushdo që hedh gurë, sepse dhuna largon pikërisht ata qytetarë që lëvizja ka më shumë nevojë t’i fitojë. Ndryshimi nuk duhet pritur as nga Brukseli, as nga SPAK. Ata mund të ndihmojnë, por kontrolli mbi pushtetin fillon këtu, brenda vendit.

E treta, duhet ndërtuar një “ne” qytetarë që qëndron mbi kampet politike: pa flamuj partiakë, pa politikanë në skenë dhe me derë të hapur për këdo që pranon rregullat. Brezi i vjetër nuk bindet me thirrje për rrezik, por me gjuhën e mbrojtjes: mbrojtjen e fëmijëve që po ikin, të shkollave që po zbrazen dhe të qetësisë që ruhet pikërisht falë mosdhunës. Peticionet, asambletë lokale dhe protestat e mëdha paqësore u tregojnë njerëzve se nuk janë vetëm, dhe kështu thyejnë frikën se vota për diçka të re shkon dëm. Edhe diaspora, që tani mund të votojë, mund të kthehet nga humbje në forcë, nëse organizohet rreth të njëjtave parime.

E katërta, lëvizja ka nevojë për strukturë, jo për një udhëheqës. Pleniumet në fakultete dhe asambletë qytetare duhet të kenë vota të hapura, përfaqësues që ndërrohen e mund të shkarkohen dhe vendime publike. Kështu zgjidhet njëkohësisht frika nga udhëheqësi dhe paaftësia për të vendosur. Zgjedhjet vendore të 2027-s mund të jenë prova e parë, me kandidatë të zgjedhur përmes një procesi të hapur dhe të kontrollueshëm.

Përgjegjësi ka edhe qeveria (jo kjo aktuale, por çdo qeveri e ardhshme). Ajo duhet të zbatojë rekomandimet e ODIHR: të ndalojë dhe të ndëshkojë përdorimin e mjeteve publike në fushatë, të depolitizojë komisionet zgjedhore dhe të mos i shfaqë më materialet e veta propagandistike si lajme. Duhet të garantojë të drejtën për protestë paqësore dhe të lejojë një hetim të pavarur për mënyrën si vepron policia. Mbrojtja e të hetuarve me imunitet parlamentar bie ndesh me çdo deklaratë për luftën kundër korrupsionit.

Edhe opozita ka pjesën e saj. Sa më shumë përpiqet ta marrë nën kontroll lëvizjen studentore, aq më shumë e dëmton, sepse i jep të drejtë qeverisë dhe largon qytetarët që nuk duan të zgjedhin mes dy kampeve. Një opozitë e pjekur e sheh protestën si arsye për të ndryshuar veten, jo si rrugë për t’u rikthyer në pushtet.

Leviatani zbutet nga shoqëria

Beogradin dhe Tiranën nuk i ndan guximi, as ndonjë karakter kombëtar. I ndajnë mësimet që secila shoqëri ka nxjerrë nga historia e saj: sa kushton rreziku, kujt mund t’i besosh, çfarë ka funksionuar më parë dhe nëse zemërimi ka ku të shkojë përveç rrugës. Serbia e ktheu zinë pas Novi Sadi-t në ritual qytetar dhe ritualin në organizim politik. Shqipëria e ka zemërimin, por ende jo zinxhirin e plotë të reagimit të pjekur qytetar.

Këto mësime nuk janë fat i shkruar. U mësuan dhe mund të mësohen ndryshe. Besimi se mund të fitosh ndërtohet mbi fitore të vogla, identiteti qytetar me qëndrim të qartë ndaj kampeve dhe besimi te njëri-tjetri me rregulla të përbashkëta. Edhe mënyra si e shohim të tashmen ndryshon kur një brez i ri bëhet shumicë.

Prandaj pyetja e vërtetë për Shqipërinë nuk është kur do të ikë një kryeministër. Është nëse shoqëria shqiptare do të jetë e aftë ta mbajë përgjegjës këdo që vjen pas tij. Leviatani nuk zbutet nga një qeveri e mirë, por zbutet nga një shoqëri e organizuar.

 

Marrë nga Citizens.a

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Bullgaria me Presidente grua/ Iljana Jotova fitoi me 57.5% në balotazh

Policia kërkon kujdes nga SMS-të mashtruese në emër të bankave

BSH paralajmëron qeverinë për uljen e pragut të TVSH-së, për bizneset e vogla

Kur Antiterrori heton protestuesit

Kur qeveria bën humor me Kushtetutën

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm Aktet e reja për tubimet rrezikojnë të kufizojnë protestën dhe të frikësojnë organizatorët
Artikulli tjetër Kur qeveria bën humor me Kushtetutën

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Aktet e reja për tubimet rrezikojnë të kufizojnë protestën dhe të frikësojnë organizatorët
Analize Fokus Kryesore Opinion Sociale 2 Nëntor, 2026
Fundi i epokës së artë?/ Lëkundet ndërtimi
Analize Ekonomi Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 2 Nëntor, 2026
Banka më e madhe e vendit investon 2.2 miliardë euro kursime të shqiptarëve, jashtë
Analize Finance Kryesore Sociale Zhvillim 2 Nëntor, 2026
Si mund të orientohen kursimet dhe kapitali drejt sektorëve prioritarë të zhvillimit?
Analize Ekonomi Finance Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 2 Nëntor, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.