Nga Irena Dule
Kur qeveria, në një akt normativ, citon një ligj që nuk ekziston, ndoshta ka ardhur koha ta trajtojmë Kushtetutën me pak humor. Sepse ata që hartuan këto akte, duket se e kanë marrë atë si shaka.
Kur Kushtetuta e një vendi shpërfillet kaq hapur, mund të vazhdojmë të rendisim shkeljet me solemnitetin e zakonshëm juridik, duke cituar nene, parime dhe vendime gjykatash. Por vjen një moment kur realiteti bëhet aq absurd, sa edhe analiza më serioze rrezikon të tingëllojë si satirë. Ndaj, kësaj radhe, po i marrim pak me humor dy aktet normative të qeverisë, të datës 28 tetor. Në fund të fundit, materialin na e kanë përgatitur vetë.
Dy akte normative brenda një dite. Njëri për të kufizuar protestat dhe për të gjobitur protestuesit, tjetri për t’ua faturuar organizatorëve edhe xhamat që thyejnë të tjerët. Një produkt juridik që meriton vëmendje, jo vetëm për atë që parashikon, por edhe për mënyrën se si është hartuar.
Në aktin e parë (nr. 5/2026, neni 1), policisë i jepet kompetenca të ndalojë tubimet pranë institucioneve për një periudhë deri në gjashtë ditë, kur ekziston një rrezik real, serioz dhe i afërt për dhunë ose dëmtime të rënda të pronës. Mund të gjobitesh deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrje në një tubim të ndaluar, me 5 mijë lekë për bllokimin e rrugës gjatë protestës dhe, në rrethana të caktuara, deri në 500 mijë lekë për mosbindje ndaj urdhrit të shpërndarjes (neni 24/1).
Por krijimtaria nuk mbaron këtu.
Deri dje, zonat e mbrojtura i njihnim nga ligjet për natyrën dhe biodiversitetin: parqe, laguna, flamingo… Pastaj qytetarët dolën masivisht në protesta për t’i mbrojtur. Dhe qeveria, me një kreativitet të admirueshëm, shpiku zonat e mbrojtura nga protestuesit!
Sipas nenit të ri 12/2 të ligjit për tubimet, këshillat bashkiakë mund të shpallin zona të mbrojtura edhe vende ku janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës. Rastësisht, vende të tilla mund të jenë edhe hapësirat përpara institucioneve ku zhvillohen protestat.
Një përmbledhje e shkëlqyer e mentalitetit qeverisës! Qytetarët dolën për të mbrojtur flamingot dhe qeveria mendoi se si të mbrohej nga mbrojtësit e flamingove.
Në aktin e dytë (nr. 6/2026), shteti merr përsipër të kompensojë disa biznese të dëmtuara. Bukur deri këtu. Pastaj vendos që faturën t’ia kërkojë edhe organizatës që ka organizuar protestën, duke e konsideruar përgjegjëse solidare për dëmet (neni 5, pika 3). Dhe këtë pa kërkuar shprehimisht që të provohet se organizata e ka nxitur apo urdhëruar dhunën.
Pra, organizon një protestë, vjen dikush që nuk e njeh, thyen një xham dhe ti mund të përfundosh duke paguar faturën. Një koncept mjaft origjinal i përgjegjësisë civile.
Madje, akti kujdeset të sqarojë në nenin 2 se nuk ndryshon rregullat e përgjegjësisë civile të Kodit Civil, ndërsa në nenin 5 vendos një përgjegjësi të tillë solidare. Një mënyrë elegante për të thënë se nuk po ndryshojmë asgjë, thjesht po shtojmë diçka që ndryshon gjithçka.
Por ajo që më bën më shumë përshtypje është urgjenca e jashtëzakonshme për dëmshpërblimin e xhamave të thyer.
Përse pikërisht ky dëmshpërblim nuk mund të priste procedurën e zakonshme parlamentare? Çfarë emergjence kushtetuese krijon një xham i thyer, që nuk mund të trajtohet përmes Kodit Civil, sigurimeve dhe gjykatave? (Neni 101 i Kushtetutës).
Dhe këtu kujtesa na çon te 21 janari 2011. Në të njëjtin bulevard nuk u thyen vetëm xhama. U vranë katër protestues. Familjarëve të tyre iu deshën vite të tëra për të ndjekur rrugën gjyqësore dhe për të marrë dëmshpërblimin, përfshirë edhe vitet kur në pushtet ishte Edi Rama.
Dhe këtu ironia bëhet e papërballueshme. I njëjti kryeministër që në atë kohë drejtonte opozitën, e cila organizoi protestën e 21 janarit, sot miraton me urgjencë një akt që parashikon përgjegjësinë solidare të organizatorit për dëmet e shkaktuara nga të tjerët.
Në vitin 2011 nuk u zbatua ndaj organizatorit një mekanizëm i tillë i përgjegjësisë solidare. Sot, megjithatë, ky parim merr një trajtim tjetër, bashkë me mënyrën se si shihet protesta.
Për jetët e humbura kishte kohë për një kalvar gjyqësor. Për xhamat e thyer nuk paska kohë as për një debat në Kuvend. Kështu, në hierarkinë e urgjencave kushtetuese, xhami ka fituar një status që jeta nuk e pati.
Por kryevepra e teknikës legjislative gjendet diku tjetër.
Në aktin e parë, neni 3 i referohet një ligji për riparimin e dëmeve nga dhuna gjatë tubimeve, sipas të cilit do të ruhen dhe përpunohen regjistrimet audiovizuale të policisë.
Vetëm se një ligj me atë titull nuk rezulton të ekzistojë. Me sa duket, nxitimi për të ligjëruar ka qenë aq i madh, sa nuk ka mbetur kohë as për të kontrolluar këtë detaj.
Prej kohësh, pothuajse e kemi harruar se ekziston edhe një disiplinë që quhet “teknikë legjislative”. Por kjo shkon përtej pakujdesisë së zakonshme. Po flasim për akte me fuqinë e ligjit, që prekin një të drejtë themelore kushtetuese, jo për një procesverbal mbledhjeje të shkruar me ngut.
Dhe këtu humori mbaron.
Sepse neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut vazhdojnë të jenë në fuqi. E drejta për tubim paqësor mbrohet edhe kur protestuesit shprehin pakënaqësi ndaj qeverisë. Dhuna e disa individëve nuk ua heq automatikisht të drejtën e protestës të tjerëve. As policia dhe as qeveria nuk mund t’i shmangen testit të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.
Për më tepër, akti normativ me fuqinë e ligjit është një instrument kushtetues për raste nevoje dhe urgjence (neni 101 i Kushtetutës), jo një mënyrë për të anashkaluar debatin parlamentar sa herë që qeveria është me nxitim.
Nuk e di çfarë ka qenë më urgjente: t’i hartonin siç duhet këto dy akte apo t’i miratonin sa më parë, me shpresën se protestuesit do të trembeshin. Se dihet, për të trembur qytetarët nuk duhen ligje të shkruara mirë; mjafton të shkruash ca gjoba të mëdha.
Ndërkohë, një gjë mbetet e sigurt: liria e tubimit nuk është krijuar me këto akte normative dhe nuk mund të zhduket prej tyre. Ajo ekziston për t’i mbrojtur qytetarët pikërisht atëherë kur pushtetit nuk i pëlqen ajo që kanë për të thënë.
Marrë nga Shteg.org