Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, u shpreh në Parlamentin Europian se Shqipëria ka bërë një rrugë të mirë drejt integrimit në BE, duke mbyllur 4 kapituj deri tani, ndërsa tha se duhet të vijojë punën për arritjen e synimit për t’u bërë pjesë e BE dhe për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.
“Ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e BE-së është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kyçe. Këtë vit u arrit një etapë e rëndësishme me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin e parë, atë të Themeloreve.
Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi. Këto çështje kanë rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, tha ajo.
Marrë nga Top Channel