Një ngjarje e rëndë ka tronditur Universitetin “La Sapienza” në Romë, ku një 58-vjeçar është gjetur i pajetë brenda çadrës ku jetonte prej disa javësh, në ambientet e universitetit.
58-vjeçari ishte kthyer në Itali në muajin qershor, pas shumë vitesh qëndrimi në Holandë. Pavarësisht vështirësive ekonomike dhe mungesës së një banese, ai kishte vendosur të ndiqte pasionin e tij për fizikën dhe të regjistrohej në universitet.
Një tjetër detaj që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është fakti se Ingusci priste të shqyrtohej mundësia e sistemimit të tij në një banesë. Sipas raportimeve, takimi për të parë një zgjidhje të mundshme strehimi ishte parashikuar për mëngjesin e 24 nëntorit, një ditë pas vdekjes së tij.
Rektorja e Universitetit “La Sapienza”, Antonella Polimeni, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të studentit, duke deklaruar se universiteti kishte zhvilluar disa kontakte me të gjatë ditëve të fundit dhe kishte përfshirë shërbimet shëndetësore dhe autoritetet lokale për të gjetur zgjidhje konkrete për situatën e tij. Ndërkohë, ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga kolektivët studentorë, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi mungesën e strehimit për studentët dhe vështirësitë për të përfituar nga skemat e mbështetjes.
Autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes, ndërsa çështja ka rikthyer në vëmendje krizën e strehimit dhe kostot e larta të jetesës për studentët në kryeqytetin italian.
Marrë nga ANSA.it