Një vizitë përkujtimore e një grupi nga Vojvodina e Serbisë në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër ka shkaktuar polemika dhe reagime të shumta. Grupi ka zhvilluar homazhe në nderim të 156 ushtarëve serbë, të cilët organizatorët i lidhin me atë që në historiografinë serbe njihet si ‘Golgota Shqiptare’. Gjatë vizitës, pjesëmarrësit kanë vendosur kurora me lule dhe kanë mbajtur fjalime për vuajtjet e ushtarëve serbë gjatë tërheqjes së vitit 1915, kur ushtria serbe u detyrua të kalonte përmes territorit shqiptar pas zhvillimeve të Luftës së Parë Botërore.
Polemikat lidhen kryesisht me mënyrën se si është trajtuar kjo ngjarje historike në territorin shqiptar, duke vënë në fokus vuajtjet e ushtrisë serbe. Pelegrinazhi është udhëhequr nga historiani Jovan Milinkoviç, i cili gjatë fjalës së tij në Shkodër iu referua monumentit dhe pllakës përkujtimore, ku sipas tij figurojnë emrat e ushtarëve serbë, rusë dhe italianë të varrosur në këtë hapësirë.
“Gjithsesi, kjo është një nga gjurmët e rralla që kanë mbetur nga ajo Luftë e Parë Botërore…të cilat shënojnë se ka pasur … serbë të varrosur, të cilët kanë kaluar Shqipërinë, përkatësisht Bjeshkët e Nëmura dhe kanë ardhur në Shkodër”, deklaroi Milinkoviç.
Ai shtoi se ushtarët serbë nuk kanë mundur të vazhdojnë më tej dhe kanë ndërruar jetë në Shkodër, duke e konsideruar monumentin një dëshmi të kalimit të tyre nëpër territorin shqiptar. Pas vizitës, shoqata organizatore publikoi një postim me titullin ‘Në gjurmët e Golgotës Shqiptare’, duke rikthyer në vëmendje një interpretim historik që vazhdon të jetë objekt kundërshtish në Shqipëri.
Reagime të forta ka pasur edhe nga studiuesi dhe kleriku shqiptar Dom Nikë Ukgjini, i cili e ka cilësuar vizitën si skandaloze dhe të papranueshme. Sipas tij, përdorimi i termit ‘Golgota Shqiptare’ për të përshkruar vuajtjet e ushtrisë serbe është problematik, pasi në të njëjtën periudhë shqiptarët kanë përjetuar dhunë dhe vuajtje nga forcat serbo-malazeze. Ukgjini ka vënë në pikëpyetje edhe pretendimin se 156 ushtarë serbë janë varrosur në varrezat katolike të Rrmajit. Ai argumenton se këto varreza nuk ishin ndërtuar ende në vitin 1915, duke kundërshtuar kështu lidhjen e tyre me varrimet e pretenduara.
Studiuesi ka kërkuar që varrezat katolike të Shkodrës të mbrohen nga hyrjet e personave të paautorizuar, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë për të sqaruar rrethanat historike dhe statusin e monumentit. Monumenti përkujtimor lidhet me gjeneralin austro-hungarez Eduard Kreuzig dhe kujtesën e Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, pretendimet për identitetin dhe vendvarrimin e ushtarëve të përkujtuar, si dhe interpretimi i kësaj vizite nga organizatorët, mbeten çështje që kërkojnë verifikim historik dhe institucional.
Marrë nga Dosja.al