Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali ka marrë një tjetër zhvillim. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar këtë të martë pro përjashtimit të Spiropalit nga grupi parlamentar socialist. Bëhet me dije se në votim kanë abstenuar dy deputetët Erion Braçe dhe Bledi Çuçi, ndërsa pjesa tjetër e grupit ka mbështetur vendimin për përjashtimin e saj.
Kjo vendimmarrje vjen pas tensioneve brenda Partisë Socialiste, të cilat kulmuan në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku Edi Rama kërkoi përjashtimin e Spiropalit nga forumet drejtuese të partisë.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë, të zhvilluar më 14 nëntor, kryeministri dhe deputetja patën një përplasje të drejtpërdrejtë, ku në qendër të diskutimit ishte qëndrimi kritik i Spiropalit ndaj mënyrës së drejtimit të partisë dhe funksionimit të strukturave të saj.
Sipas raportimeve nga mbledhja me dyer të mbyllura, Rama i është drejtuar Spiropalit me tone të ashpra, duke përdorur edhe krahasimin: “Unë për ty isha Skënderbeu, ti nga Mamica u bëre flamingo”.
Nga ana e saj, Spiropali ka kundërshtuar kërkesën për përjashtim, duke argumentuar se kritikat e saj nuk ishin personale ndaj Ramës, por kishin të bënin me mënyrën e përzgjedhjes së ministrave dhe drejtuesve, si dhe me individët që, sipas saj, abuzojnë me pushtetin.
Në Asamble, kërkesa për përjashtimin e saj nga partia nuk u hodh në votim. Propozimin e Ramës për përjashtimin e Spiropalit, në mblehdjen e Asamblesë e kanë kundërsgtuar edhe Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erion Braçe.
Pas mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, sqaroi se Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të ishin më pjesë e forumeve drejtuese të partisë, por do të vijonin të mbeteshin anëtarë të PS-së.
Ndërkohë, çështja e përjashtimit nga Grupi Parlamentar ishte lënë e hapur dhe pritej të trajtohej si një procedurë më vete. Por me votimin e sotëm, përplasja politike mes Ramës dhe Spiropalit shënon një tjetër kapitull, si dhe përjashtimin e saj.
Marrë nga Dosja.al