Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti ka kundërshtuar në Kuvend aktin normativ për tubimet, duke e cilësuar atë si një kufizim të së drejtës së qytetarëve për të protestuar. Gjatë fjalës së tij në Parlament, Alizoti deklaroi se shqiptarët kanë shumë më tepër arsye për të protestuar sesa qytetarët e vendeve të tjera evropiane, duke krahasuar situatën në Shqipëri me atë në Francë dhe Itali. Alizoti solli rastin e Belinda Ballukut, duke thënë se ajo është për tu futur në burg dhe qytetarët kanë të drejtën e tyre për të protestuar.
“Si mundet të ndaloni një qytetar shqiptar – që shikon që kupola qeverisëse, ish-zv.kryeministra, ca në arrati, ca për t’u ndjekur e futur në burg, gjysma e qeverisë është në burg dhe gjysma pret të shkojë në burg – të protestojë me një akt normativ? Çfarë ka gjë më të shenjtë se protesta në demokraci? Një qytetar nuk ka punë, nuk ka arsim dhe ai proteston, ndërsa ju i bëni akte normative për të mos protestuar.
Çfarë kam parë në aktin normativ? Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim të qartë. Si mundet, pas mbi 30 vitesh, përmes procedurave teknike, të ndalojmë qytetarin të protestojë? Se keni frikë nga protesta. Policia rrit dozën e saj për të kontrolluar qytetarët. U gjobitën dhe jetimë, e njerëz që nuk kishin ku të jetonin e banonin.
Një qytetar që nuk ka asgjë, po e ndaloni me disa teknika juridike të mos protestojë?! Ne në BE shkojmë me demokraci, jo autokraci. Shqiptarët doni t’i trembni me polici. Komunizmi ishte shtet policor. Protesta është e drejtë e çdo njeriu. Përveç dhunës, zhdukni dhe servilizmin. Nuk shkon dot Shqipëria në BE me servilë, injorantë e banalitet. Lexova aty që thatë zona të mbrojtura. Po mirë, doni të shpallni dhe Kryeministrinë zonë të mbrojtur?!
Për ata që e njohin këtë koncept, vlen për natyrën dhe speciet që janë në zhdukje. Nëse kryeministri është një specie në zhdukje dhe doni ta shpallni zonë të mbrojtur, ku duhet të shkojnë të protestojnë njerëzit? Në Dajt?! Ju po ktheni demokracinë përmbys. Edhe komunizmi, edhe nazizmi jetonin me procedurat ligjore. Doni të sillni ligjet për të ndaluar njerëzit të protestojnë. Pse nuk ka të drejtë njeriu të protestojë se drejtoresha e SHISH-it është e lidhur me horrat e Shqipërisë? Pse qytetari në Elbasan nuk ka të drejtë të protestojë që qyteti është mbushur me kamerat e Suelit? Pse nuk ka të drejtë qytetari të protestojë për horrat e Durrësit? Ju doni t’u thoni njerëzve: Mos protestoni, se ju frikësojmë. Por urrejtja… Të shpallni Kryeministrinë dhe Ministrinë e Arsimit zonë të mbrojtur, kjo është marrëzi politike. Po cenoni lirinë e individit. Protesta është hyjnore. Apo doni të jepni akses një policie që është kthyer në shoferë të horrave të policisë?” tha Alizoti.
Marrë nga Lapsi.al