Nëse i keni ndjekur protestat e ditëve të fundit përballë Kryeministrisë, me siguri keni vënë re se protestuesit nuk po lejohen të qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, siç kanë bërë për rreth pesë muaj. Policia i largon me forcë nga bulevardi para kryeministrisë dhe i shtyn drejt trotuareve përreth.
Por jo gjithmonë ka qenë kështu. Për 135 ditë, bulevardi u kthye në një hapësirë të përbashkët, ku protestohej, fëmijët vizatonin në asfalt dhe parullat thirreshin nën ritmin e daulleve, pankartave dhe flamingove. Bulevardi u shndërrua në një hapësirë të përbashkë dhe në pedonalen e munguar të kryeqytetit.
Qytetarët qëndronin përpara Kryeministrisë në çdo orë të ditës, nga mëngjesi deri në mbrëmje, e madje edhe gjatë natës, si në rastin kur diaspora iu bashkua protestës dhe policia ishte e pranishme për të ruajtur rendin, por nuk i shpërndante me forcë protestuesit, nuk shoqëroheshin në komisariatet e policisë dhe nuk gjobiteshin për bllokimin e rrugës.
Kjo situatë ndryshoi pasi studentët u mobilizuan dhe iu bashkuan lëvizjes “Revolucioni Flamingo” dhe kërkesave të saj, duke ndryshuar edhe mënyrën se si i shprehnin pakënaqësitë. Natyrshëm, pasi studentët janë përballur me të njëjtat vështirësi edhe pas protestave të mëdha studentore të vitit 2018, duke bërë që pakënaqësia të mbetet e akumuluar.
Protestat studentore u shoqëruan me përplasje të forta me policinë dhe pavarësisht dhunë joproporcionale, arrestimeve dhe shoqërimeve, tubimet nuk u ndërprenë dhe vijuan çdo ditë.
Sot, në ditën e 179-të të protestave të përditshme përballë Kryeministrisë, bulevardi nuk është më një hapësirë ku qytetarët mund të mblidhen dhe të protestojnë lirisht.
Nga bulevardi drejt trotuarit më të largët nga “zona e mbrojtur”
Më 29 tetor, ndërsa protestat vijonin, qeveria miratoi dy akte normative dhe një vendim të Këshillit të Ministrave, përmes të cilave ndryshoi kuadrin ligjor për zhvillimin e tubimeve.
Tanimë, përveç përplasjeve në rrugë, protestuesit u përballën edhe me rregulla të reja, që zgjeruan kompetencat e policisë dhe vendosën kufizime të tjera për organizimin dhe zhvillimin e protestave.
Sipas dispozitave të reja, policia mund të ndalojë një tubim pranë institucioneve shtetërore, arsimore dhe shëndetësore deri në 72 orë, kur vlerëson se ekziston rrezik real për dhunë ose dëme të rënda.
Gjithashtu, parashikohet përcaktimi i “zonave të mbrojtura”, nga të cilat mund të kërkohet largimi i personave. Kjo prek drejtpërdrejt hapësirat publike pranë institucioneve, ku qytetarët zakonisht mblidhen për të kundërshtuar vendimmarrjen politike.
Ndryshimet sollën edhe masa administrative për protestuesit, me gjoba që mund të arrijnë deri në 500 mijë lekë. Deri më tani, tre prej gjobave u janë vendosur të miturve, të cilët kanë treguar se ndodhen në kushte tejet të vështira financiare.
Një tjetër element i ri është krijimi i një regjistri të posaçëm për personat e proceduar për vepra penale të lidhura me tubimet. Paketa parashikon edhe masa që mund të kufizojnë lëvizjen jashtë vendit të personave të përfshirë në këtë regjistër. Kjo masë u zbatua për herë të parë më 23 nëntor ndaj një 21-vjeçari, të cilit iu ndalua dalja drejt Greqisë.
Në këto kushte, qëndrimi përpara Kryeministrisë mund të pengohet përmes përcaktimit të një zone të mbrojtur, ndërsa marshimet mund të kufizohen në hapësira larg institucioneve dhe pa penguar qarkullimin e automjeteve.
Avokati Gentian Sejrani, nga “Drejtësi Sociale”, kundërshton kufizimin e hapësirës ku qytetarët mund të ushtrojnë të drejtën e tubimit, duke argumentuar se akti normativ i qeverisë ka ndryshuar kushtet e protestimit përpara Kryeministrisë.
“Në këtë trotuar ku ne jemi sot nuk lejohet të protestohet ashtu siç është protestuar prej pesë muajsh. Kjo ka ndodhur për shkak se qeveria ka miratuar një akt normativ me forcën e ligjit dhe që ka ndaluar të drejtën kushtetuese, atë të tubimit dhe të shprehjes së lirisë së fjalës.”, shprehet avokati Sejrani.
Nëse bulevardi dhe hapësirat pranë institucioneve përjashtohen nga protesta, qytetarëve u mbetet trotuari, ku prej netësh janë larguar me forcë nga policia.
Edhe pas njoftimit, protestuesit mbahen larg bulevardit
Në Shqipëri, qytetarët nuk kanë nevojë të marrin leje nga policia për të protestuar. E drejta për tubim paqësor garantohet nga Kushtetuta, ndërsa ligji “Për tubimet” përcakton detyrimin për të njoftuar paraprakisht policinë për organizimin e një tubimi në vende publike.
Sipas procedurës ligjore, njoftimi bëhet zakonisht të paktën tri ditë përpara zhvillimit të protestës dhe duhet të përmbajë të dhëna si vendi, koha, qëllimi, kohëzgjatja e parashikuar dhe organizatorët.
Organizatorët nuk i kërkojnë policisë miratimin për të protestuar, por e informojnë atë për zhvillimin e tubimit, në mënyrë që autoritetet të marrin masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve dhe të qytetarëve të tjerë.
Edhe kur autoritetet vlerësojnë se një tubim mund të krijojë probleme për rendin publik, kjo nuk do të thotë se mund ta ndalojnë atë automatikisht. Kufizimet duhet të kenë një bazë ligjore, të jenë të nevojshme dhe proporcionale me rrezikun që synojnë të parandalojnë. Njëkohësisht, fakti që një protestë nuk është njoftuar nuk e zhvesh automatikisht atë nga mbrojtja që i garanton Kushtetuta të drejtës për tubim paqësor.
Ky dallim bëhet veçanërisht i rëndësishëm në rastin e protestave përballë Kryeministrisë, pasi edhe kur organizatorët kanë përmbushur detyrimin e njoftimit, policia ka ndërhyrë dhe ka penguar zhvillimin e tubimeve në hapësirën e kërkuar.
Më 10 nëntor 2026, protestuesit kanë depozituar një njoftim zyrtar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariateve nr. 1 dhe 2, për zhvillimin e një tubimi dhe marshimi paqësor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në njoftim parashikohet që protesta të zhvillohet çdo ditë, nga ora 17:30 deri në 22:00, me pjesëmarrje të lirë dhe mbi 100 persona. Dokumenti mbështetet në nenin 47 të Kushtetutës, nenin 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenet 5 dhe 7 të ligjit “Për tubimet”.
Megjithatë, pavarësisht njoftimit zyrtar, protestuesit janë përballur me ndërhyrjen e policisë dhe nuk janë lejuar të qëndrojnë në bulevard si më parë.
Liria e tubimit vazhdon të jetë e garantuar nga Kushtetuta, por mes kësaj garancie dhe mundësisë reale për ta ushtruar këtë të drejtë në hapësirën publike po krijohet një hendek gjithnjë e më i madh.
Marrë nga Citizens.al