Tirana renditet e dyta në Evropë për numrin e viteve të pagës mesatare neto që nevojiten për të blerë një apartament në qendër të qytetit, duke reflektuar hendekun e madh mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të qytetarëve.
Bazuar në të dhënat e Numbeo për nëntorin 2026, në kryeqytetin shqiptar duhen 19.3 vite të ardhura neto për të blerë një apartament 50 metra katrorë në zonën qendrore. Në këtë përllogaritje supozohet se e gjithë paga neto vjetore përdoret për blerjen e banesës, pa shpenzime të tjera jetese.
Tirana renditet pas Moskës, ku nevojiten 22.8 vite paga, ndërsa lë pas qytete si Milano dhe Lisbona, me nga 19 vite, Splitin me 18.4 vite dhe Romën me 17.4 vite.
Renditja nxjerr në pah vështirësinë e përballueshmërisë së banesave në kryeqytetin shqiptar, ku çmimet e larta të tregut imobiliar nuk kompensohen nga niveli i të ardhurave.
Tirana, përpara qyteteve të mëdha evropiane
Në listën e 50 qyteteve, Tirana renditet përpara disa prej qendrave të njohura evropiane për çmimet e larta të pronave. Në Paris nevojiten 15.6 vite paga, në Vjenë 15.5 vite, në Madrid 15.1 vite, ndërsa në Londër 13.7 vite.
Edhe Zyrihu, një prej qyteteve me kosto të lartë jetese në Evropë, renditet më poshtë se Tirana, me 13.6 vite paga. Ndërkohë, në Amsterdam nevojiten 9.6 vite dhe në Berlin 9.9 vite të ardhura neto.
Në skajin tjetër të renditjes, Mançesteri është qyteti më i përballueshëm ndër 50 qytetet e analizuara, me pesë vite paga për blerjen e një apartamenti në qendër. Brukseli renditet gjithashtu ndër qytetet më të përballueshme, me gjashtë vite paga.
Çmimet dhe pagat, një raport i pafavorshëm për Tiranën
Të dhënat e renditjes vlerësojnë se një apartament 50 metra katrorë në qendër të Tiranës kushton rreth 190 mijë euro, ndërsa paga mesatare neto mujore është rreth 818 euro.
Për krahasim, në Zyrih një apartament me të njëjtën sipërfaqe vlerësohet rreth 1.2 milionë euro, por paga mesatare neto mujore arrin 7,361 euro. Edhe pse çmimi i pronës është shumë më i lartë, raporti me të ardhurat e banorëve e bën blerjen relativisht më të përballueshme në qytetin zviceran.
Renditja mbështetet në vlerësime të çmimeve të pronave dhe pagave të mbledhura nga Numbeo. Treguesi mat raportin mes kostos së banesës dhe të ardhurave, por nuk përfaqëson një plan realist kursimi, pasi nuk përfshin shpenzimet e jetesës, interesat e kredive, taksat dhe kostot e transaksionit.
Marrë nga Ekofin.al