Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Agence France-Presse (AFP) me seli në Paris, është përballur së fundmi me një sulm kibernetik, çka ka detyruar që të nxjerrë jashtë funksioni plaftormën e saj të përmbajtjes, deri në një njoftim të dytë.
Raportohet se sulmi ka ndodhur në orët e para të së enjtes, rreth orës 1:30 të mëngjesit sipas orës së Parisit (00:30 GMT), me synim goditjen e AFP Forum, një platformë të përdorur nga klientët për të shfletuar dhe shkarkuar përmbajtjen e agjencisë.
“Sapo u zbulua ndërhyrja, ekipet tona vepruan menjëherë për ta përmbajtur atë dhe e hoqën AFP Forum nga funksioni si masë paraprake. AFP Forum mbetet i padisponueshëm deri në njoftim të mëtejshëm”, thuhej në emailin e brendshëm të dërguar nga menaxhmenti.
Agjencia tha se po ofronte zgjidhje alternative për abonentët, ndërsa deri në këto momente, platforma mbetet e paarritshme.
“Një hetim është duke u zhvilluar me ndihmën e ekspertëve të jashtëm. Në këtë fazë, nuk kemi informacion se kush qëndron pas sulmit”, shtoi deklarata.
Sulmi kibernetik vjen në mes të një sërë incidentesh që synojnë kompanitë dhe institucionet publike në Francë dhe vende të tjera në muajt e fundit.
Marrë nga AFP