Nga Butrinti, te Muzeu Hebraik në Vlorë, nga programet mësimore, te formimi i drejtuesve të shkollave, përgatitja e këshilltarëve të ministrave dhe, së fundmi, edhe edukimi profesional i gazetarëve, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka fituar një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në sektorë me interes strategjik për Shqipërinë.
Por, pavarësisht emërtimit dhe perceptimit që krijon në publikun shqiptar, AADF nuk është institucion i qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe as pjesë e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Është një fondacion privat, axhenda dhe prioritetet e të cilit përcaktohen nga bordi drejtues, i kryesuar prej vitesh nga financieri amerikan Michael Granoff.
Në Shqipëri, Granoff ka ditur të kultivojë marrëdhënie të shkëlqyera me politikën, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet. Bashkëpunimi me qeverinë e Sali Berishës, gjatë së cilës në vitin 2012 u nënshkrua edhe marrëveshja për programin e formimit të drejtuesve të ardhshëm të administratës shqiptare, jo vetëm që i mbijetoi rotacionit politik të vitit 2013, por mori përmasa shumë më të mëdha me ardhjen e Edi Ramës në pushtet.
Në një vend ku socialistët dhe demokratët e kanë të vështirë të bien dakord pothuajse për gjithçka, Michael Granoff ka arritur të mbajë në të njëjtin rreth bashkëpunimi përfaqësues të të dyja palëve. Një kapital politik që i ka siguruar fondacionit vazhdimësi dhe akses institucional, pavarësisht rotacioneve qeverisëse.
Por nëse në Shqipëri Granoff njihet kryesisht si drejtuesi i fondacionit amerikan, aktiviteti i tij ndërkombëtar ka edhe një dimension tjetër, shumë më pak të njohur për publikun shqiptar.
Granoff është themeluesi dhe drejtuesi i Pomona Capital, një kompani globale investimesh që, sipas dokumentacionit të depozituar në Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë gjatë vitit 2026, ka rreth 21 miliardë dollarë angazhime kapitali. Njëkohësisht, ai kryeson Bordin Ndërkombëtar të Administratorëve të Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (INSS), ku figuron edhe në bordin drejtues.
Nuk bëhet fjalë për një organizatë të zakonshme kulturore apo filantropike. INSS, me seli në Tel Aviv, është një institucion kërkimor i specializuar në çështjet e sigurisë kombëtare, mbrojtjes, inteligjencës, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe interesave strategjike të Izraelit. Në strukturat e tij drejtuese dhe kërkimore janë angazhuar ish-drejtues të lartë të ushtrisë, shërbimeve të inteligjencës dhe diplomacisë izraelite. Analizat dhe rekomandimet e institutit synojnë të kontribuojnë në vendimmarrjen strategjike të shtetit izraelit.
Funksioni i Granoffit në këtë institucion konfirmohet nga dokumentacioni financiar amerikan, nga biografia e publikuar prej kompanisë së tij dhe nga vetë INSS.
Ky angazhim merr një rëndësi të veçantë kur shqyrtohen disa prej projekteve që fondacioni i drejtuar prej tij ka ndërmarrë në Shqipëri.
Për formimin e drejtuesve të shkollave shqiptare, AADF ka përzgjedhur pikërisht modelin izraelit të institutit Avney Rosha. Shkolla e Drejtorëve, e bashkëthemeluar me Ministrinë e Arsimit, mbështetet mbi këtë model, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe fondacionit është zgjatur deri në vitin 2033.
Ndërkohë, prania e AADF-së në sistemin arsimor shqiptar është shtrirë edhe në programet mësimore të teknologjisë për fëmijët, përkthimin dhe shpërndarjen e teksteve universitare, sistemet e vlerësimit të studentëve dhe financimin e infrastrukturës së institucioneve përgjegjëse për shërbimet arsimore.
Nga shkolla fillore deri në universitet dhe më pas në zyrat e Kryeministrisë e të ministrive, ku përmes programit LEAD Albania angazhohen profesionistët e përzgjedhur nga fondacioni, AADF ka ndërtuar një rrjet bashkëpunimi që shtrihet në disa prej hallkave më të rëndësishme të formimit të brezave të ardhshëm. Me programin e ri për gazetarët, ky aktivitet është zgjeruar tashmë edhe në media.
Por jo gjithmonë projektet e fondacionit kanë gjetur te qytetarët shqiptarë të njëjtin mirëkuptim që kanë gjetur te politikanët.
Marrja nën administrim e qytetit antik të Butrintit përmes një fondacioni të përbashkët me Ministrinë e Kulturës ka qenë një prej projekteve më të kontestuara të AADF-së. Kundërshtimet e specialistëve të trashëgimisë kulturore, shqetësimet e ekspertëve të UNESCO-s dhe procesi në Gjykatën Kushtetuese kanë shoqëruar një projekt që qeveria e ka prezantuar vazhdimisht si histori suksesi.
Debati është zhvendosur së fundmi edhe në Vlorë, ku projekti i Muzeut Hebraik, me një angazhim financiar prej 6.5 milionë dollarësh nga AADF dhe i projektuar nga studioja izraelite Kimmel-Eshkolot Architects, ka nxjerrë qytetarët në protesta. Kundërshtimet lidhen me vendndodhjen e muzeut, pranë godinës historike të Klubit Patriotik “Labëria”, dhe me atë që protestuesit e konsiderojnë cenim të identitetit historik të zonës. Autoritetet, nga ana tjetër, pretendojnë se godina e klubit nuk preket nga ndërtimi.
Pavarësisht kundërshtimeve që kanë shoqëruar këto projekte, qeveria vazhdon t’i besojë fondacionit fusha të reja bashkëpunimi, në një periudhë kur vetë Edi Rama po intensifikon marrëdhëniet ekonomike me Izraelin, veçanërisht në sektorët strategjikë të teknologjisë, sigurisë kibernetike dhe industrisë së mbrojtjes.
A po shërben tashmë AADF, përtej misionit të tij zhvillimor, edhe si një kanal për promovimin dhe ndërmjetësimin e interesave ekonomike e strategjike të Izraelit në Shqipëri?
Partneritetet me institucione dhe kompani izraelite në arsim dhe kulturë janë të dokumentuara. Ajo që mbetet për t’u sqaruar është nëse Granoff dhe fondacioni i drejtuar prej tij kanë rol edhe në identifikimin e investitorëve, ndërmjetësimin e kontakteve me qeverinë shqiptare dhe përzgjedhjen e kompanive izraelite në sektorë të tjerë strategjikë.
Për këtë duhen bërë publike marrëveshjet, kriteret e përzgjedhjes së partnerëve dhe mekanizmat e shmangies së konflikteve të interesit, veçanërisht kur drejtuesi i fondacionit ushtron paralelisht funksione në një institucion të rëndësishëm të mendimit strategjik izraelit.
Pas kaq vitesh aktiviteti në Shqipëri, AADF ka arritur të sigurojë bashkëpunimin e qeverive të të dyja krahëve politikë, të zgjerojë praninë në institucionet publike dhe të marrë pjesë në projekte që përcaktojnë politikat afatgjata të vendit.
Por ndërsa politikanët shqiptarë kanë pasur të gjithë mundësinë të njohin nga afër Michael Granoffin, publiku shqiptar ka ende shumë pak informacion mbi interesat që ai përfaqëson dhe mënyrën se si ato ndërthuren me aktivitetin e fondacionit.
Emërtimi amerikan i AADF-së nuk mund të jetë përgjigjja për çdo pyetje që ngrihet mbi axhendën e tij në Shqipëri.
Marrë nga VNA.al