Kur Shaky nisi të dridhej, të villte dhe nuk qëndronte më në këmbë, Barbara e kuptoi se po humbiste shokun e saj të jetës. Por duhej të shkonte në punë. Qeni ngordhi larg saj dhe për muaj të tërë Barbara u përpoq ta fshihte dhimbjen, nga frika se të tjerët nuk do ta kuptonin.
Pikërisht për situata të tilla, në Parlamentin italian është paraqitur një amendament që parashikon dy ditë leje të paguar nga puna në rast të humbjes së kafshës shtëpiake, si dhe tetë orë në vit për t’u kujdesur për qenin apo macen e sëmurë.
Propozimi i Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës është përfshirë në diskutimet për ligjin e buxhetit të vitit 2027 dhe parashikon një kosto prej pesë milionë eurosh në vit. Ai ende nuk është miratuar.
Aktualisht, legjislacioni italian njeh të drejtën e lejes së paguar në rast vdekjeje apo sëmundjeje të rëndë të familjarëve, por nuk parashikon një të drejtë të posaçme për humbjen e kafshëve shtëpiake.
Një precedent interesant daton në vitin 2017, kur një punonjëse e një universiteti në Romë, e cila jetonte vetëm, përfitoi dy ditë leje të paguar për t’u kujdesur për qenin e saj që kishte nevojë për një ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Vendimi u mor nga punëdhënësi, pas ndërhyrjes së një organizate për mbrojtjen e kafshëve.
Disa kompani italiane kanë ndërmarrë tashmë iniciativa të ngjashme. Grupi i njohur i kafesë Lavazza, për shembull, u ka mundësuar punonjësve katër orë leje në vit për vizitat veterinare të kafshëve të tyre shtëpiake.
Një dhimbje që shoqëria ende e nënvlerëson
Humbja e një kafshe shtëpiake mund të shkaktojë një dhimbje të thellë emocionale, e cila shpesh rëndohet nga mungesa e mirëkuptimit të njerëzve përreth.
Në psikologji, ky fenomen njihet si pikëllimi i panjohur shoqërisht. Një studim i publikuar në revistën shkencore Omega – Journal of Death and Dying, bazuar në intervistat me 31 persona, evidenton se izolimi dhe nënvlerësimi i dhimbjes nga të tjerët mund ta bëjnë edhe më të vështirë përballimin e humbjes.
Natyrisht, dy ditë pushim nuk përcaktojnë se sa duhet të zgjasë dhimbja, ashtu si tetë orë në vit nuk mjaftojnë për çdo rast sëmundjeje. Por propozimi që po diskutohet në Itali synon të njohë edhe ligjërisht një lidhje emocionale që për miliona njerëz është pjesë e pandashme e jetës familjare.
Marrë nga La Repubblica