Numri i aksidenteve rrugore është rritur me 75,3% në qarkun e Durrësit dhe me 25,7% në atë të Tiranës gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026. Në të kundërt, në dhjetë qarqet e tjera të vendit, të marra së bashku, aksidentet janë reduktuar me 13,6%.
Të dhënat e publikuara këtë të premte nga INSTAT tregojnë se nga janari deri në fund të tetorit në Shqipëri janë regjistruar 1.193 aksidente me pasoja në njerëz, nga 1.144 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
E gjithë rritja në shkallë kombëtare vjen nga dy qarqet, Tirana dhe Durrësi, ku janë regjistruar 147 aksidente më shumë se një vit më parë, ndërsa në pjesën tjetër të vendit numri i tyre është reduktuar me 98.
Përkeqësimi më i madh i statistikave evidentohet në Durrës, ku numri i aksidenteve është rritur nga 77 në 135, ndërsa ai i personave të vrarë dhe të plagosur nga 120 në 182.
Në qarkun e Tiranës janë regjistruar 435 aksidente, kundrejt 346 një vit më parë, ndërsa numri i personave që kanë humbur jetën ose janë plagosur është rritur nga 433 në 529.
Dy qarqet përqendrojnë tashmë 48% të aksidenteve rrugore në Shqipëri, nga 37% që përbënin një vit më parë.
Në krahun tjetër, rënia më e madhe e aksidenteve është regjistruar në Berat me 74%, Dibër me 60% dhe Shkodër me 44%. Përmirësim të statistikave kanë shënuar edhe Korça, Elbasani dhe Lezha, ndërsa rritje të aksidenteve, krahas Tiranës dhe Durrësit, është regjistruar në Gjirokastër, Kukës, Vlorë dhe Fier.
Vetëm gjatë tetorit janë regjistruar 103 aksidente në shkallë vendi, nga 116 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Për të njëjtën periudhë, numri i personave të vrarë dhe të plagosur ka rënë nga 164 në 131.
Sipas INSTAT, sjellja e drejtuesve të automjeteve ka qenë shkak për 89,3% të aksidenteve gjatë tetorit, ndërsa grupmosha 25–34 vjeç përbën rreth një të katërtën e rasteve.
E mërkura dhe e premtja rezultojnë ditët me numrin më të lartë të aksidenteve, ndërsa mbi 26% e rasteve janë regjistruar nga ora 19:00 deri në mesnatë.
Marrë nga Skyweb.al