Vetëvrasja e Gianni De Gennaros, ish-kreut të Policisë dhe një prej figurave më të rëndësishme të aparatit të sigurisë italiane, ka tronditur opinionin publik në Itali, duke ngritur pikëpyetje mbi rrethanat që paraprinë aktin tragjik.
Përpara se t’i jepte fund jetës, De Gennaro la një letër, të cilën e cilëson si “testamentin e tij moral”. Në të, ai mbron integritetin e tij profesional, përmend emra të rëndësishëm të politikës italiane dhe shpjegon ekzistencën e një hard disku me dokumente të grumbulluara gjatë 40 viteve karrierë.
Ndërsa motivet e aktit tragjik mbeten për t’u sqaruar, gazeta italiane “Corriere della Sera” ka publikuar tekstin integral të letrës, të cilin “Pamfleti” e sjell të plotë në shqip.
Nga Gianni De Gennaro
Letra u drejtohet autoriteteve kompetente, me shpresën se do të kenë ndershmërinë për ta bërë publike.
Ky është teksti i plotë i letrës së shkruar nga Gianni De Gennaro, të cilën “Corriere della Sera” e kishte publikuar më parë në versionin e shtypur dhe online, në një artikull të firmosur nga Giovanni Bianconi dhe Fiorenza Sarzanini.
me shpresën se do të kenë ndershmërinë për ta bërë publik këtë dokument.
20 nëntor 2026
Ky është testamenti im moral.
Këtu ndodhet objekti i dëshiruar nga të gjithë, hard disku që të gjithë po kërkojnë.
Ai nuk përmban mistere, as sekrete. Përmban vetëm dëshmitë dokumentare të rreth 40 viteve që kanë qenë pjesë e jetës sime, një jetë e mbushur me vuajtje dhe hidhërime.
Shqyrtojeni me kujdes, por me mendje të kthjellët, pa hamendësime të panevojshme për prapaskena.
Jam përpjekur vetëm të shmang rënien e tij në duart e atyre që nuk i konsideroja të aftë për të vlerësuar përmbajtjen.
E ruaja me qëllimin e vetëm për të lënë një dëshmi të historisë sime profesionale ose, në rast nevoje, për të rifreskuar kujtesën time, nëse këtë do ta kërkonte drejtësia. Në fund të fundit, jetojmë në një vend ku ende kërkohen provat e një krimi të ndodhur 51 vjet më parë.
Nuk ka mistere, nuk ka sekrete.
Të gjitha këto dokumente i ruaja në letër, në dhjetëra dosje voluminoze, dhe sa herë që më duhej të ndërroja banesë apo t’i zhvendosja, ishte një mundim i jashtëzakonshëm.
Kështu, me ndihmën e sekretarisë sime, vendosa t’i ktheja në format dixhital.
Kur më thanë se pajisja që kisha përdorur për ruajtjen e tyre mund të shkaktonte humbjen e përmbajtjes, i transferova dokumentet në një pajisje të gjeneratës së re. I kërkova ndihmë tim biri, sepse nuk do të kisha mundur ta bëja i vetëm.
Kaq. Asnjë mister.
Megjithatë, duke mos qenë i sigurt për suksesin e transferimit, vendosa të ruaja edhe pajisjen e vjetër, duke përfshirë marrëzisht në këtë histori një mik që e kam për zemër.
Pas pak minutash nuk do të jem më dhe, për këtë arsye, e kuptoni mirë se një “i dënuar me vdekje” nuk mund të gënjejë.
Prandaj dua t’u them të gjithëve se nuk e kam tradhtuar kurrë betimin tim të besnikërisë ndaj atdheut.
I kam shërbyer vendit tim me ndershmëri dhe besnikëri.
U jam bindur gjithmonë urdhrave që më janë dhënë dhe i kam përmbushur me përkushtim detyrat që më janë besuar, edhe kur ato kanë qenë kundër vullnetit tim.
Enrico Letta mund të dëshmojë për ngurrimin tim për të marrë detyrën e presidentit të Finmeccanica-s, aq sa, për të më bindur, bëri që të më telefononte vetë Presidenti i Republikës.
Giuseppe Conte mund t’ju tregojë se jam përpjekur më kot t’i shmangesha detyrës së presidentit të Bankës Popullore të Barit, por në fund iu binda urdhrit.
Gianni Letta mund t’ju konfirmojë se ishte ai që më përcolli kërkesën për të marrë detyrën e presidentit të Eurolink-ut.
Nga detyra e kreut të Policisë më shkarkoi Romano Prodi, i cili pati “kujdesin” të më bënte të merrja vesh lajmin përmes përgjigjeve të tij gjatë një seance pyetje-përgjigje në Parlament, pra drejtpërdrejt në televizion.
Pyeteni edhe Giuliano Amaton. Ai do t’ju konfirmojë se, nëpërmjet një letre, nuk kam kërkuar asnjë detyrë tjetër, përveçse të më lejohej të ushtroja funksionin tim si prefekt, në cilindo qytet.
Sfidoj këdo që mund të pretendojë se kam kërkuar diçka për veten time.
Përkundrazi, jam kujdesur për të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmën time.
Kërkoni dhe do të gjeni dhjetëra dëshmitarë, nëse do të kenë guximin të dalin përpara.
Megjithatë, nuk kam bërë kurrë asgjë për familjen time dhe për këtë nuk mund të bëj tjetër veçse të ndiej keqardhje.
Kam punuar gjithmonë me përkushtim dhe ndershmëri në shërbim të shtetit.
Me shumë gjasë kam bërë gabime, ndoshta edhe ndonjë të pafalshëm, por gjithmonë dhe vetëm për të përmbushur detyrimet e mia.
Për gabimet e bëra mund vetëm të kërkoj ndjesë, por nuk mund t’i fshij ato.
Nuk e kam tradhtuar kurrë besimin e atyre që ma kanë dhënë dhe nuk e kam tradhtuar kurrë miqësinë.
Tani mund vetëm të kërkoj ndjesë dhe të lutem për faljen e atyre njerëzve që, pa dashje, i kam përfshirë në problemet me të cilat po përballen sot.
Shpresoj që, përballë ortekut të gënjeshtrave që tani po më merr përpara, në fund të triumfojë e vërteta.
Me besnikëri,
Gianni De Gennaro
Marrë nga Corriere della Sera