Sekretariati i Etikës ka përjashtuar për 60 ditë nga punimet e Kuvendit deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Bledion Nallbati. Po ashtu për shkak të tensioneve dhe protestës së shkaktuar nga opozita në seancën e 30 shtatorit, është përjashtuar për 10 ditë Edi Paloka.
Janë përjashtuar për 40 ditë 20 deputetët Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.
Kërkesa për ndëshkimin e opozitarëve është bërë nga deputetët socialistë Niko Peleshi, Arkend Balla, Ilirjan Pendavinji, Baftjar Zeqaj, Ilir Topi, Ilir Ndraxhi, Enslemvera Zake, Pranvera Resulaj, Denis Deliu, Ermonela Valikaj dhe Laert Duraj.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të përjashtimit, ku shkruan se mazhoranca të fut në burg pa ligj dhe prova dhe jo më mos të të përjashtojnë nga Kuvendi. Sipas tij, largimi i opozitës nga seancat plenare për muaj, provon se sa “frikacak” është kryeministri Edi Rama. Më tej shtoi, se do të jenë përballë Ramës brenda dhe jashtë Kuvendit.
Gjatë fjalës së saj para mbështetësve demokratë, Zhupa komentoi vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetes dhe kolegëve të saj për 40 ditë nga Kuvendi. Ajo tha se numri 40 në memorien e qyetarëve personifikon 40 ditët e vdekjes së dikujt, kështu që ditët e përjashtimit duhet të jenë ditët e “vdekjes” së regjimit. Demokratja shtoi se opozita do të jetë e pandalshme në protestën e 7 tetorit dhe çdo ditë tjetër.
Në lidhje me vendimin ka reaguar edhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj. Gjekmarkaj u shpreh se ky vendim është me urdhër të Edi Ramës. Ai theksoi se ky është një vendim që tregon frikë, dëshpërim dhe urrejtje ndaj opozitës. Gjekmarkaj më tej shkruan se është turp për kolegët kukulla të PS-së që sipas tij përdoren padenjësisht.