Policia franceze e italiane ka njoftuar se ka shkatërruar një rrjet ndërkombëtar të mashtrimit që kalonte shishet e verës së kualitetit të dobët duke i shitur ato si verëra të vjetra e të cilësisë së lartë me vlerë deri 15 mijë euro për copë, raporton “BBC”.
Ata dyshohen se kanë fabrikuar etiketa të rrejshme që përfaqësojnë vreshtat e famshme franceze, të cilat më pas shiteshin me vlerën e plotë të tregut përmes tregtarëve të verërave në mbarë botën.
Banda fitoi 2 milionë euro nga mashtrimi, thonë prokurorët francezë.
Drejtuesi i dyshuar, një shtetas rus 40-vjeçar, gjithashtu do të akuzohet, ka thënë prokuroria.
Europoli tha se sendet e sekuestruara përfshijnë “sasi të mëdha shishe vere të falsifikuara si Grand Cru, letra ngjitëse për verërat, produkte dylli, përbërës për ta rimbushur verën, makina teknike për rimbushjen e shisheve e mallra luksoze”, si dhe pajisje elektronike me vlerë 1.4 milionë euro e mbi 100 mijë euro para të gatshme.
Mashtrimi me verëra ka ekzistuar që kur është shpikur vera. Deri pak vite më parë, në Francë, ishte në një nivel mjaft të menaxhueshëm. Por, gjatë dekadës së fundit, gjërat kanë ndryshuar.
Qendra e këtij lloji mashtrimi thuhet se është Italia. Kjo pasi kanë njohuritë e verës: artizanë që kuptojnë vendosjen e etiketave dhe po ashtu për shishet me tapat e vjetra. Gjithashtu ka një nëntokë kriminale që është e gatshme të investojnë.